Rrëfimi i Vasfije Krasniqit shpërblehet në Japoni me çmimin “Motivues”

08:53 | 12 Gusht 2025
E.K

Dokumentari që sjell në dritë të vërtetën dhe dhimbjen e Kosovës gjatë luftës, përmes rrëfimit të mbijetuarës së dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi Goodman, është shpërblyer me çmimin prestigjioz “Motivues” nga juria ndërkombëtare në Japoni.

Ky projekt i realizuar nga transmetuesi publik japonez NHK gjatë këtij viti, u vlerësua në mesin e mbi 200 projekteve konkurruese, duke u veçuar për fuqinë emocionale dhe mesazhin e tij njerëzor.

Vasfije Krasniqi, protagoniste e dokumentarit, e cilësoi këtë çmim jo thjesht si një vlerësim artistik, por si një dëshmi e prekjes së ndërgjegjes ndërkombëtare nga e vërteta dhe qëndresa e popullit të Kosovës.

“Ky çmim nuk është thjesht një trofe – është dëshmi se e vërteta e Kosovës, dhimbja dhe qëndresa jonë, mund të prekin ndërgjegjen ndërkombëtare kur tregohen me sinqeritet e guxim. Për mua është nder që përvoja dhe fjala ime u bënë pjesë e këtij rrëfimi që sot inkurajon edhe të tjerët të flasin. Ky çmim i dedikohet çdo zëri të heshtur, çdo plage që ende s’është shëruar. Jam thellësisht mirënjohës për përkrahjen tuaj të palodhshme ndër vite. Faleminderit që nuk më keni lënë kurrë vetëm në këtë rrugëtim”, thuje në njoftim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale