Reagon Ahmeti: Mos e nxitni edhe më shumë situatën me propaganda

14:20 | 19 Nëntor 2015
M. A.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti reagon ndaj një shkrimi të publikuar gjatë ditës së sotme nga një portal vendor duke e quajtur si një portal të pushtetit.

Portali në fjalë kishte raportuar për takimin e opozitës, duke e titulluar tekstin “Shpend Ahmeti merr pjesë në takimin për shkatërrimin e mëtutjeshëm të Prishtinës”, gjë që ka ngjallur reagimin e kryetarit Ahemti.

Postimi i plotë i z.Ahmeti në facebook:

Sot në njërin prej portaleve të pushtetit duke raportuar për takimin e opozitës titulli shkruante “Shpend Ahmeti merr pjesë në takimin për shkatërrimin e mëtutjeshëm të Prishtinës”.

Këtij titulli lakmi do ti kishte edhe Gebelsi, shefi i propagandes së Hitlerit.

Prishtina është duke u ringjallur nga shkatërrimi 14 vjeçar. Në ato vite në Prishtinë janë lejuar 46 MIJË (46,000) ndërtime pa leje, e që sot na shkaktojnë probleme me planifikim, rrymë, ujë kanalizim etj.

Ata që i kanë lejuar sot janë në qeveri, prandaj po ndodhë edhe shkatërrimi i Kosovës me marrëveshje të dëmshme.

Unë si kryetar kryeqyteti nuk e dua shkatërrimin as të Prishtinës e as të ndonjë qyteti tjetër në Kosovë. Përkundrazi luftoj me gjithë qenien time që ta ndërtoj shtetin tim. Por luftoj me gjithë qenien time edhe kundër zhvatjes dhe shkatërrimit që ju ka bërë me vite të tëra.

Asnjë forcë e asnjë kërcënim nuk do të na e mbyllë gojën kur ka padrejtësi. Pasojat e vendimeve politike për gjyqësinë e policinë do ti bartim për vite të tëra.

Pronën publike e kanë shkatërruar me vite të tëra pushteti, sepse në çdo rrugë, në çdo pllakë të shtruar e në çdo punë publike mungon nga një 10 përqindsh e më shumë që i ka shkuar politikanëve në xhepat e tyre, që tash e quajnë pronë private.

Prandaj, lene propagandën gebelsiane, se një medium që e ka përkrah pushtetin në Prishtinë në kohën e shkatërrimit, kur të përmendet Prishtina duhet me u skuq nga turpi e marrja. Mos nxitni edhe më shumë situatën me propaganda.

Edhe sot mendoj se zgjidhja është shumë e lehtë. Nuk do të jetësohen marrëveshjet e dëmshme me arrestimet e deputetëve e me polici, posaqërisht kur po rrezikohet gati gjysma e vendit. As që po them që mund të fitohen zgjedhjet me protesta. Sepse në fakt nuk jemi duke folur për pushtetin fare. Reagimi ndaj arrestimit të deputetit dje nuk po bëhet për vota.

Është koha e fundit, që shqiptarët të çlirohen nga kompleksi ndaj Serbisë. Më shumë po i frigohemi qëndrimit të opozitës se sa qëndrimit të Serbisë. Pendrekun e gazin opozitës, e duart e hapura e dashurinë Serbisë.

Shpërndaje në rrjete sociale