Google ADS

Reagimi i DASH-it për aksionin në veri, Kadrijaj: Qeveria me veprime populliste

10:35 | 22 Maj 2024
A Z

Gjatë ditës së hënë, Policia e Kosovës zhvilloi një aksion në veri të vendit, ku kanë mbyllur gjashtë njësi të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë, institucion ky që ka shpërndarë pagesat e Beogradit për qytetarët serbë në Kosovë.

Policia ka bërë të ditur se ka konfiskuar mbi 1 milion euro, mbi 70 milionë dinarë dhe mbi 19 mijë franga.

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) shprehu zhgënjimin për mbylljen nga Policia e Kosovës të gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit, duke thënë se “ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë” dhe se ai “përshkallëzon tensionet”.

Në një prononcim për Arbresh.info, lidhur me këtë çështje, ka folur deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

Ajo kritikoi qeverinë, duke thënë se me veprime të tilla populliste, po mundohet ta bëjnë një baraspeshë mes veprimeve të tjera skandaloze.

“Nuk është veprim i parë që kjo qeveri ka bërë koncesione të shumta, dhe në pushtet ka ardhë me premtime të mëdha se do të dialogojë, do të punojë për bashkim kombëtar, se ka njohur flamurin, se ka njohur himnin, për asociacionin, dhe për tokat e manastirit të Deçanit, janë burgosë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje me këto kauza, ndërsa tash i ka pranuar të gjitha, tash po mundohet me veprime të tilla populliste, ta bëjnë një baraspeshë mes veprimeve të tjera skandaloze që ka bo kjo qeveri dhe ta ruajë elektoratin”, tha ajo.

Përveç DASH, ka reaguar dhe Bashkimi Evropian duke thënë se me shqetësim ka përcjellë operacionin policor të së hënës në zyrat e Bankës së Kursimeve Postare Serbe në veri të Kosovës. BE-ja veprimet e policisë i ka cilësuar të pakoordinuara dhe janë përshkallëzuese.

Policia tha se qëllim i aksionit të saj në veri, më 20 maj, ishte “vendosja e rendit dhe ligjshmërisë”./Arbresh.info/Rita Jakupi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale