Raporti i sigurisë: 60% më pak grabitje në Prishtinë krahasuar me vitin e kaluar

17:05 | 12 Maj 2026
Q L

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka prezantuar të martën raportin krahasues të sigurisë për muajin prill 2026, i cili tregon përmirësim të situatës së rendit dhe sigurisë publike në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Sipas të dhënave zyrtare të prezantuara nga Policia, gjatë muajit prill është shënuar rënie e disa prej veprave penale më të shpeshta, si dhe ulje e numrit të aksidenteve në trafik.

“Nga analiza e prezantuar rezulton se veprat penale ‘Lëndim i rëndë’ kanë shënuar ulje prej 11 për qind, rastet e vjedhjeve janë zvogëluar për 14 për qind, ndërsa veprat e grabitjes kanë pësuar rënie të konsiderueshme prej 60 për qind”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Në kuadër të zbatimit të ligjit dhe përpjekjeve për rritjen e sigurisë në komunikacion, njësitet policore kanë shqiptuar afro 20 mijë gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik.

Sipas Policisë, këto aktivitete kanë ndikuar drejtpërdrejt në uljen e numrit të aksidenteve në trafik për 17 për qind, krahasuar me muajin prill të vitit të kaluar.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë mbetet e përkushtuar në avancimin e sigurisë publike, parandalimin e kriminalitetit dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët”, theksohet në njoftim.

Policia e Kosovës ka vlerësuar se rezultatet e prezantuara pasqyrojnë angazhimin e vazhdueshëm të zyrtarëve policorë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në kryeqytet dhe komunat përreth.

 

Shpërndaje në rrjete sociale