Qytetarët kursyen afër një milionë euro, Radiologjia realizoi rreth shtatë mijë incizime

08:18 | 18 Shtator 2021
A Z

Klinika e Radiologjisë kryen mbi gjashtë mijë rezonanca magnetike, lista e pritjes deri në 4 muaj

Klinika e Radiologjisë vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, ka kryer 6,768 rezonanca magnetike.

Në klinikat private një rezonancë magnetike kushton rreth 150 euro, e qytetarët e Kosovës nga shërbimet në Klinikën e Radiologjisë, kanë kursyer 925.200 euro, kështu thotë për arbresh.info drejtori i kësaj klinike Bujar Gjikolli.

“Në gjashtë muajt e parë të vitit 2021 në Klinikën e Radiologjisë janë realizuar 6768 incizime. Nëse numrat e shërbimeve të realizuara  me RM (6768) zbërthehen në vlera monetare bazuar në çmimet ekonomike momentalisht në vendin tonë, ku një RM kushton rreth 150 euro, i bie se popullata jonë ka kursyer 925.200 euro vetëm nga shërbime me RM të realizuara. Klinika e radiologjisë me qëllim të përkrahjes së popullatës në periudhën më të vështirë të njerëzimit, me vetëmohim e angazhim të palodhshëm të personelit dashamirës fantastik gjatë vitit 2020 ka incizuar 115.061 pacient që paraqet numër rekord të shërbimeve të ofruara në historinë e institucionit tonë”, thotë ai.

Ai tha se lista e pritjes është tre deri në  katër muaj për ta bërë një rezonancë magnetike.

“Momentalisht në aparatet e rezonancës magnetike punohet pesë ditë në javë para dhe pasdite dhe lista e pritjes është 3-4 muaj, krahasuar me para dy viteve kur ka qenë së paku 11 muaj. Momentalisht radiografi kryhen çdo ditë në diapazon prej 250 deri 400 radiografi derisa në piken e pandemisë vjet kemi arritur deri 700 pacient”, thotë ai.

Pos investime që kërkon të bëhen në këtë Klinikë, Gjikolli thotë se kanë nevojë për aparatura të reja me mundësi më të mira softverike për t’ju përgjigjur kërkesave më të mëdha të pacientëve.

“Jemi krenar që me përkrahjen e personelit tonë dhe të OE të cilët mirëmbajnë  servisojnë aparaturën, kanë mundësuar funksionalitetin e plotë të aparaturave tona. Prishjet janë sanuar me urgjencë dhe pa vonesa. Natyrisht që Klinika e jonë e varur në tërësi nga teknologjia ka nevojë për aparatura të reja me mundësi më të mira softverike për t’ju përgjigjur kërkesave më të mëdha në numër dhe ato kualitative të kolegëve dhe të teknikave të reja”, thotë Gjikolli për arbresh.info./A.ZEKA/arbresh.info/