Qeveria zhvillon mbledhjen e 31-të, miraton disa vendime financiare dhe ekonomike

20:58 | 31 Korrik 2026
E H

Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar disa vendime, përfshirë Raportin Gjashtëmujor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2026.

Sipas njoftimit të Qeverisë, raporti paraqet një përmbledhje të trendeve kryesore të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti.

Gjatë kësaj periudhe, pranimet buxhetore kanë arritur në 1 miliard e 816.52 milionë euro, ndërsa shpenzimet kanë qenë në vlerë prej 1 miliard e 777.50 milionë euro.

Në këtë mbledhje, Qeveria në detyrë ka ndarë edhe 1.4 milionë euro për zbatimin e Masës 3.8 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Po ashtu, janë ndarë 21 mijë euro për realizimin e shfaqjes teatrale “Taverna Mirësia – Mario, Bella, Anastasia”, me regji të Mario Banushit.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit Nr. 08/20 të datës 22 maj 2026, përmes të cilit është miratuar Pakoja për Përballje me Inflacionin 2.0.//Arbresh.info