Qeveria e (pa)aftë të shtyjë përpara projektligjet, deri tash veç katër prej tyre janë miratuar në Kuvend

08:01 | 1 Gusht 2021

Nga gjithsej 193 projektligje të parapara për shqyrtim gjatë këtij viti, deri tash veç 24 prej tyre janë proceduar nga Qeveria e Kosovës në Kuvend.

Ndërsa, nga 26 projektligje që ka trajtuar Kuvendit, veç katër prej tyre janë miratuar, shkruan arbresh.info.

Fajin mos miratimin e këtyre projektligjeve, monitorues të punës së Kuvendit të Kosovës ia lënë Qeverisë Kurti.

Agnesa Haxhiu monitorues e Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), vlerëson si jo efektiv sesionin pranveror të Kuvendit të Kosovës.

“Sesioni pranveror, gjegjësisht sesioni i parë i kësaj legjislature nuk ka qenë shumë efektiv sa i përket procesit ligjbërës. Deri më tani nga 193 projektligje të parapara për shqyrtim për vitin 2021, vetëm 24 janë proceduar nga Qeveria në Kuvend. E në anën tjetër Kuvendi, nga 26 projektligje sa i ka trajtuar deri më tani duke përfshirë këtu edhe dy nismat ligjore të deputeteve, ka arritur t’i miratoj vetëm katër projektligje deri më tash, ndërkaq 22 të tjera janë në mes të shqyrtimit të parë dhe të dytë”, ka treguar Haxhiu për arbresh.info

Fajtor për vonimin e miratimit të tyre, sipas Haxhiu është Qeveria e Kosovës.

“Duhet të përmendet fakti që Qeveria si sponsorizues kryesor i ligjeve, është vonuar me procedimin e projektligjeve, në afatet që ajo vet i ka përcaktuar në programin e saj legjislativ dhe normalisht dinamika e punës së Qeverisë në këtë drejtim, e ka ndikuar edhe dinamiken e punës së Kuvendit”, pohon ajo.
Në anën tjetër njohësi i çështjeve politike dhe profesorin Mazllum Baraliu, thotë se qeveria kishte plani mjaft ambicioz, por që nuk ka bërë matjet paraprake të kapaciteteve që ka.

“Është e vërtet që kjo Qeveri ka bërë një plan tepër ambicioz për këtë vite dhe në fakt tani jemi dëshmitar se pasi ka kaluar gjysma e vitit vetëm katër projekte janë pak për tu miratuar. Kjo
Qeveri është dashtë të bëjë matjen dhe ti shoh kapacitet që ka dhe jo të projektoj plane. Unë e kuptoj që ata mund të kenë vështirësi në propozim të ligjeve, por në ndryshim ose plotësim të ligjeve s’kërkon kohë të madhe”, ka thënë Baraliu për Arbresh.info.

Ndryshe që nga 22 marsi, kur është konstituuar legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës dhe kur është miratuar agjenda legjislative e Qeverisë, Kuvendi ka miratuar ratifikimin e marrëveshjes financiare Programi i Instrumentit të Para-anëtarësimit [IPA] ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe ligjet për drejtësi, infrastrukturë dhe buxhet./V.Selimi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara