Qendra Emergjente e QKUK-së me fluks të lartë pacientësh: 292 vizita për 24 orë, trajtohet edhe një rast me armë të ftohtë

13:31 | 2 Korrik 2026
H.E

Qendra Emergjente e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit është përballur me një fluks të lartë pacientësh, ndërsa stafi shëndetësor ka punuar me ritëm intensiv për t’iu përgjigjur të gjitha rasteve.

Sipas njoftimit, gjatë kësaj periudhe janë realizuar gjithsej 292 vizita, ndërsa janë kryer edhe 81 procedura reanimimi.

Nga numri i përgjithshëm i pacientëve, 78 raste kanë qenë internistike, 50 kirurgjike, 59 ortopedike, ndërsa 24 pacientë janë trajtuar në sallën e vogël të intervenimeve.

QKUK ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve është trajtuar edhe një rast me lëndim nga armë e ftohtë, si dhe 16 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas lëndimeve të pësuara në aksidente komunikacioni.

Për trajtim të mëtejmë janë hospitalizuar 22 pacientë, prej të cilëve tetë në Klinikën e Kirurgjisë, tetë në Klinikën e Mjekësisë Interne, katër në Klinikën e Ortopedisë dhe dy në Mjekimin Intensiv.

Nga QKUK theksohet se, pavarësisht ngarkesës së madhe dhe numrit të lartë të rasteve, ekipet mjekësore dhe infermierore kanë ofruar kujdes të pandërprerë dhe shërbime emergjente për të gjithë pacientët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Shpërndaje në rrjete sociale