Avokati i Popullit, Naim Qelaj, i ka adresuar një letër Kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ku ngre shqetësime të thella lidhur me respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe standardeve të gjykimit të drejtë në procedurat e zhvilluara para kësaj gjykate.
Në letrën e datës 30 dhjetor 2025, Qelaj thekson se Dhomat e Specializuara nuk i nënshtrohen asnjë mekanizmi vendor të monitorimit apo llogaridhënies, duke ngritur dyshime për përputhshmërinë e veprimeve të tyre me Kushtetutën e Kosovës, instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Avokati i Popullit shpreh shqetësim për atë që e cilëson si ushtrim pothuajse monoetnik të juridiksionit, duke vënë në pikëpyetje parimin e barazisë para ligjit dhe perceptimin e drejtësisë së paanshme. Ai kritikon mungesën e sqarimeve të mjaftueshme publike mbi bazën ligjore dhe faktike të këtij selektimi.
Qelaj gjithashtu ngre vërejtje serioze për mangësi procedurale, duke theksuar se shumica dërrmuese e kërkesave të mbrojtjes janë refuzuar, gjë që sipas tij krijon çekuilibër procedural dhe rrezikon besueshmërinë e proceseve gjyqësore.
Në letër përmenden edhe shqetësime lidhur me pranimin e provave, përfshirë dokumente që pretendohet se burojnë nga autoritetet serbe pas vitit 1999, si dhe përdorimin e librave të botuar si prova, të cilat, sipas Qelajt, nuk përmbushin standardet e besueshmërisë provuese.
Një tjetër kritikë e fortë ka të bëjë me praktikën e paraburgimit të zgjatur dhe të pandërprerë për të gjithë të akuzuarit, pa shqyrtim kuptimplotë të masave alternative. Sipas Avokatit të Popullit, kjo praktikë bie ndesh me standardet ndërkombëtare dhe me parimin e proporcionalitetit, duke ngritur shqetësime për shkelje të të drejtave themelore.
Qelaj thekson se letra është dërguar në frymën e angazhimit konstruktiv dhe përgjegjësisë institucionale, me qëllim monitorimin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore, duke shprehur besimin se Dhomat e Specializuara do të garantojnë një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Termokos: Për shkak të rënies së Bllokut 1, furnizimi me ngr...
Pacolli uron një fillim të mbarë të këtij viti nga Parisi
Arbeloa flet para mediave për herë të parë si trajner i Real...
UNICEF: Më shumë se 100 fëmijë janë vrarë në Gaza që nga arm...
Florent Hadërgjonaj realizon dy gola ndaj Karagumrukut
I mituri theret me thikë në Gjakovë, dërgohet në QKUK për tr...