Nëntë komuna të Kosovës kanë arritur pikët maksimale në ‘Indeksin e Transparencës Buxhetore të Komunave 2024’, duke shënuar numrin më të lartë të komunave me vlerësim të plotë që nga viti 2017”, ka bërë të ditur Instituti GAP, i cili që nga ajo kohë realizon vlerësime sistematike të transparencës në nivel lokal.
Sipas raportit, 22 nga gjithsej 38 komuna kaluan mesataren prej 61 pikësh, ndërsa nëntë komuna u vlerësuan me 100 pikët e mundshme: Kaçaniku, Klina, Lipjani, Mitrovica e Jugut, Prizreni, Rahoveci, Shtimja, Skenderaj dhe Vushtrria. Komunat e Drenasit, Hanit të Elezit dhe Podujevës u renditën gjithashtu lart, me nga 95 pikë secila – ku mungesa e një dokumenti në formatin e kërkuar ua pamundësoi marrjen e pikëve maksimale.
Ky institut thotë se gjatë vitit 2024 janë publikuar 227 dokumente buxhetore në faqet zyrtare të komunave, përfshirë raporte financiare, rregullore për ndarjen e subvencioneve dhe lista të përfituesve.
“Dokumentet më të publikuara ishin Korniza Afatmesme Buxhetore (KAB) dhe raportet financiare për vitin 2024. Sipas të dhënave të mbledhura, 32 komuna kanë organizuar së paku 123 dëgjime buxhetore në total, ndërsa gjashtë të tjera nuk kanë organizuar asnjë dëgjim buxhetor gjatë vitit 2024. Më konkretisht, 28 komuna kanë mbajtur të paktën katër dëgjime. Ndër dokumentet më pak të publikuara mbetet kartela analitike e kontos, e cila është bërë publike vetëm nga 16 komuna në ueb-faqet zyrtare të tyre dhe nga dy komuna është dërguar përmes kërkesës me email. Megjithatë, ky është një përmirësim krahasuar me vitin 2023”, thotë GAP-i.
Sipas tyre, përmirësim të theksuar ka shënuar Komuna e Mitrovicës së Veriut, me një ngritje prej 46 pikësh dhe shtatë vendeve në renditje, ndërsa Komuna e Vitisë ka grumbulluar 90 pikë, apo 45 më shumë se një vit më parë.
Në anën tjetër, GAP-i thotë se disa komuna kanë shënuar rënie të ndjeshme, si Ferizaj (-47.5 pikë), Obiliqi dhe Malisheva (-25), Gjakova (-20) dhe Suhareka (-10).
“Komunat e Zubin Potokut dhe Zveçanit vazhdojnë të mos publikojnë asnjë dokument buxhetor dhe mbesin ndër komunat më jotransparente në nivel lokal. Ky raport tregon një përparim të rëndësishëm në transparencën buxhetore në nivel vendi, por, thekson nevojën për standardizim të formateve të publikimit dhe për forcim të mekanizmave të qëndrueshëm llogaridhënës në të gjitha komunat”, thotë Instituti GAP.
Juventus shënon fitore minimale ndaj Bolognas në udhëtim
Hamza: Asnjë luftëtar i lirisë nuk do të jetë kurrë vetëm, a...
Prishtina fiton derbin me Bashkimin – humbja e katërt ...
Numri i të vrarëve rritet në 16 nga sulmi në Australi
Policia britanike shpall në kërkim një shtetas shqiptar
Për herë të dytë me radhë, “Team Vitality” fiton Majorin në ...