Publikohen biseda në Viber të Kryesisë së LDK-së për votat e diasporës, akuza për skema të organizuar kriminale

23:19 | 31 Mars 2025
E.H

Disa anëtarë të Kryesisë Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë insistuar për orkestrimin e një skeme të organizuar kriminale brenda partisë që drejtohet nga Lumir Abdixhiku.

Në vazhdën e komunikimeve të brendshme të anëtarëve të kryesisë qendrore të LDK-së, më 2 mars 2025, në grupin në “Viber” ku pjesë e tij është edhe kryetari Lumir Abdixhiku, Kujtim Shala dhe bashkëpartiaku i tij Arben Gashi, zhvilluan mes vete një komunikim “goxha të nxehtë”.

Ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së po këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë kriminale”.

“Faktet po ulërasin o Kujtim. Ti duhet me u pajtu me shqetësimin, për krimin qe ka ndodhë”, shkruante Arben Gashi në grupin në “Viber” të kryesisë qendrore të LDK-së të siguruara nga gazeta Reporteri.

“Asnjë manipulim nuk është i tolerueshëm”, i përgjigjej Kujtim Shala. “Për të gjitha”, vazhdonte numri 2 i listës zgjedhore të LDK-së.

“Kujtim, qitja emrin, nuk është manipulim, është skemë e organizuar kriminale. Pa e identifiku sakt problemin nuk mundemi me e shpëtu partinë”, insistonte Arben Gashi.

“Ok dajë, e identifikojmë dhe e adresojmë si duhet. Jemi ne, por kemi edhe institucione që merren me gjëra të tilla”, reagoi sërish Shala.

Me “Ok.”e mbyll diskutimin më të Arben Gashi.

Nga ana tjetër, në grupin në “Viber” të kryesisë së LDK-së, pos Kujtim Shalës e Arben Gashit, në diskutimin për “skeme të organizuar kriminale” të “vjedhjes së votave” u përfshi edhe deputeti i zgjedhur i LDK-së, Armend Zemaj.

“Edhe unë kam shumë çka për të folur për dyshimet me abuzim me vota, të cilat e të cilët e kanë dëmtuar LDK-në e jo që e kanë ndihmuar. Askujt nuk i duhet mandati me marrë në kurriz të punë dhe përkushtimit të devotshëm të strukturës dhe anëtarëve besnik të LDK-së në mërgatë. Mireutakofshim në kryesi”, shkruante Zemaj.

Porosi për bashkëpartiakët dhe kolegët e kryesisë së LDK-së, pati edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti.

“E çuditshme me votat e diasporës së LDK-së nga Komuna e Rahovecit!!! Nga disa kuti po rezulton se diaspora e Rahovecit po i voton kandidatët e Pejës, të Prishtinë e të disa komunave të tjera në masë të madhe jashtë shpërndarjes normale të votave!!! Ndoshta ky është vullneti i elektoratit të LDK-së në diasporë nga Komuna e Rahovecit!!! Por, të njëjtit kandidatë, në Degën e Rahovecit në Kosovë kanë marrë vota sipas një mesatareje të përgjithshme të shpërndarjes së votave në gjithë listën e LDK-së. Në tentoj t’i besoj kësaj shpërndarjeje më shumë, sepse besoj se përfaqëson vullnetin e elektoratit të LDK-së, në Degën e Rahovecit. Ndoshta Grupi i Kryesisë së LDK-së që ka punuar me diasporë na njofton se çfarë po ndodh. Ndoshta unë nuk i kam informatat”, shkruante Avdullah Hoti, më 2 mars 2025, në grupin në “Viber” të kryesisë së LDK-së.

Disa ditë pas këtyre diskutimeve, Lumir Abdixhiku mblodhi më 10 mars 2025 kryesinë e partisë së tij, në një mbledhje të gjatë e të tensionuar.

Shpërndaje në rrjete sociale