Pse e transferuan rastin e Azem Sylës tek vendorët? Përgjigjet EULEX

12:19 | 21 Shkurt 2018

Një ditë pasi kryetari i trupit gjykues të rastit të Azem Sylës befasisht njoftoi se ky rast do t’u transferohet vendorëve, Zyra për Informim e misionit për sundim të ligjit në Kosovë bëri të ditura arsyet e këtij vendimi.

Zëdhënësja e EULEX-it, Donika Berisha-Rizaj, përmes postës elektronike dha sqarime për arsyet se pse rasti ku të akuzuar lidhur me tjetërsimin e disa pronave shoqërore janë Azem Syla dhe 21 persona të tjerë.

“Për arsye të transferimit gradual të funksionit ekzekutiv të EULEX-it tek autoritetet e vendit, prej datës 15 qershor 2018 gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë nuk do të jenë pjesë e gjykatave të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e nga Zyra për Informim e EULEX.

Një ndër faktorët që përmendet të ketë ndikuar në transferimin e lëndës tek vendorët, në përgjigjen e EULEX-it, përmendet edhe gjendja shëndetësore e të akuzuarit.

“Rastet kanë qenë në proces të dorëzimit që nga viti 2014. Pas një vlerësimi të bërë me kujdes, ku është marrë parasysh kohëzgjatja e procesit gjyqësor dhe gjendja shëndetësore aktuale e të pandehurit, ushtruesja e detyrës së kryetarit të gjyqtarëve të EULEX-it ka vlerësuar se rasti nuk do të mund të përfundohet brenda afatit kohor të caktuar”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.

Si arsyetim tjetër që përmendet për transferimin e lëndës tek vendorët përmendet mundësia që ndryshimi i trupit gjykues pas qershorit të këtij viti të mund të kishte si pasojë rifillimin e procesit.

“Çfarëdo ndryshimi ndaj trupit gjykues pas datës 15 qershor 2018 do të kishte kërkuar rifillimin e procedurës dhe vonesa potenciale të mëtejme. Ky vendim është në pajtueshmëri me obligimin për respektimin e të drejtave të të pandehurit për proces gjyqësor të drejtë”, thuhet në përgjigjen e EULEX.

Megjithatë, ky rast sigurisht se duhet të rifillojë nga fillimi, të paktën rreth 20 seanca të mundësisë së veçantë hetuese ku janë dëgjuar dy dëshmitarë të mbrojtur dhe që ky proces kishte zgjatur rreth 4 muaj.

Lidhur me këtë problem dhe mundësinë e zvarritjes së këtij rasti, muajin e kaluar KALLXO.com kishte publikuar një analizë.

Prokurori i EULEX-it, Danilo Ceccareli dje e quajti turp dhe dështimin më të madh të EULEX-it pamundësinë për ta përfunduar këtë rast.

Të gjitha seancat lidhur me këtë rast tashmë janë anuluar deri në vendosjen se cili nga gjyqtarët vendorë do ta gjykojë këtë rast.

Prokuroria Speciale më 25 tetor të vitit 2016 ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla./kallxo.com/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara