Prokuroria vazhdon aksionin kundër grupit të dytë të dyshuarve për manipulim të votave në Prizren

11:12 | 29 Janar 2026
E.K

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, si dhe me Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, po vazhdojnë hetimet e zgjeruara lidhur me grupin e dytë të dyshuarve në Prizren.

Ky njoftim vjen pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) dhe në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren.

Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet kanë të bëjnë me dyshimet për kryerjen e veprave penale të parashikuara në Kapitullin XVIII të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), që lidhen me shkeljen e të drejtave të votimit, si dhe në Kapitullin XXXIII, që përfshin korrupsionin zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare.

Duke marrë parasysh interesimin e madh të mediave, Prokuroria njofton se gjatë ditës, pas intervistimit të të dyshuarve në polici, do të lëshohet një komunikatë shtesë me informacione mbi veprimet dhe zhvillimet e mëtejshme hetimore./Arbresh.info