Prokuroria ngrit aktakuzë kundër zyrtarëve që u kapën duke konsumuar kokainë në Komunën e Leposaviqit

11:59 | 21 Mars 2025
E.K

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për veprat penale të lidhura me narkotikët.

Sipas aktakuzës, i pandehuri S.S. akuzohet për “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, si dhe ndaj D.M., dhe S.M., për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Gjatë muajit nëntor 2023 në objektin e Komunës së Leposaviqit, i pandehuri S.S., akuzohet se në objektin e komunës së Leposaviqit në një nga zyrat e komunës e fton të pandehurën D.M., dhe i ofron substancë narkotike të llojit kokainë dhe e konsumojnë së bashku përmes hundës,

Po ashtu, në një rast tjetër në muajin nëntor 2023, i pandehuri S.S., e thërret në një nga zyrat e objektit të Komunës së Leposaviqit të pandehurin S.M., dhe i ofron substancë narkotike kokainë të cilën e vendos në tavolinë dhe i pandehuri S.M., e konsumon përmes hundës,

Po ashtu, gjatë muajit nëntor i pandehuri S.S., në një nga lokalet e qytetit pa autorizim shpërndanë substanca narkotike të llojit kokainë, ashtu që e thërret në banjon e kafiterisë të pandehurën D.M dhe i ofron substancë narkotike kokainë të cilën e pandehura D.M., e konsumon përmes hundës.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë me rastin e ngritjes së aktakuzës ka kërkuar nga gjykata që tre (3) të pandehurit të i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe ti dënojë sipas ligjit./Arbresh.info

Të ngjashme