Prokuroria kërkon vazhdimin e paraburgimit për Selimin dhe Krasniqin

15:13 | 18 Prill 2025
E.K

Prokuroria në Hagë ka kërkuar që paraburgimi për Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin të zgjatet edhe për dy muaj të tjerë.

Sipas Prokurorisë, përfundimi i paraqitjes së provave nga ana e mbrojtjes së Selimit dhe Krasniqit rrit rrezikun e pengimit të drejtësisë dhe të kryerjes së veprave të tjera penale.

Përveç kësaj, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka theksuar se këto rrethana justifikojnë gjithashtu rishqyrtimin e rrezikut të arratisjes në vendimet për vazhdimin e paraburgimit. E njëjta gjë është theksuar edhe në vendimin që ka të bëjë me Rexhep Selimin, shkruan Betimi për Drejtësi.

Sipas Prokurorisë, vazhdojnë të ekzistojnë dyshime të arsyeshme se Jakup Krasniqi ka kryer një ose më shumë nga krimet që bien në juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK). Madje, sipas saj, këto dyshime janë përforcuar nga provat e paraqitura nga ZPS-ja, të cilat tashmë janë përfshirë në dosjen e gjykimit.

Prokuroria gjithashtu thekson se, për shkak se Krasniqi dhe Selimi tani kanë njohuri të detajuara për rastin dhe provat kundër tyre, ekziston rreziku i shtuar që ata të mund të kryejnë vepra të tjera penale, përfshirë veprime ndaj dëshmitarëve që kanë dhënë ose mund të japin dëshmi në këtë çështje, apo që mund të paraqiten para Panelit në fazat e ardhshme të procedurës.

“Për më tepër, Selimi tashmë është në dijeni të identitetit të të gjithë dëshmitarëve të ZPS-së dhe të provave të tyre. Përfundimi i çështjes së ZPS-së nuk e zvogëlon rrezikun e pengimit, por e rrit atë, pasi i akuzuari tashmë ka njohuri të plotë për përmbajtjen e çështjes ndaj tij. Siç është theksuar nga Trupi Gjykues, ekziston rreziku që ndërhyrjet me qëllim për të siguruar tërheqje të dëshmive dhe/ose për të dekurajuar dëshmitarët e ardhshëm nga dhënia e dëshmive mund të pengojnë përparimin e procedurës. Më tej, ekziston mundësia që dëshmitarët të thirren sërish, duke i bërë ata të cenueshëm ndaj përpjekjeve për ndërhyrje”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për Selimin.

Përveç rrezikut të arratisjes dhe pengimit të procedurave, Prokuroria ka thënë se masat e vendosura ne objektet e paraburgimit kanë ofruar garanci kundër vizitave dhe komunikimeve të pamonitotuara si masa për të mimimizuar rreziqet përkatëse.

Ata thonë se paraburgimi mbetet proporcional dhe i arsyeshëm veçanarisht që procedurat tasshmë kanë perparuar.

Të ngjashme