Priten edhe 7 mijë emigrantë të kthehen në Kosovë

21:12 | 31 Mars 2015
M. A.

Deri me tani janë kthyer 3 mijë emigrues ilegal në Kosovë, ndërsa deri në fund të viti, parashihet të kthehen dhe 7 mijë të tjerë.

E kishin lënë Kosovën me shpresën që të gjenin një jetë më të mirë në Evropë, por pas pak muajve u kthyen prapa.

Fat të njëjtë kanë edhe shumë kosovarë që në mënyrë jo ligjore emigruan drejt Evropës. Zyrtarë në departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migrim të MPB-së, thonë se numri i kosovarëve në tre mujorin e parë të këtij viti, është shumëfish më i madh krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, raporton RTK.

“Shohim që ka një rritje prej 170%, çka do të thotë që numri i të ripranuarve deri tani d.m.th. janar-mars 2015 është rreth 3 mijë të ripranuar”, ka thënë Sefadin Kuqi.

Kjo shifër është si rezultat i fluksit të fundit të azilkërkuesve kosovarë në shtetet e BE’së. Nëse ky trend vazhdon i madh pritet të jetë edhe numri total i të riatdhesuarve këtë vit.

“Nëse e shohim që vetëm për 3 muajt e fundit ka pas një rritje 170%, do të thotë kjo do të jetë edhe rritja në përgjithësi për këtë vit. E që i bie, nëse llogarisim, për mbi 10 mijë persona”, tha ai.

Por, çfarë do të ndodh pasi të kthehen ata në Kosovë. Departamenti për riintegrimin e personave të riatdhesuar, njofton se ata përfitojnë asistencë mjekësore sapo të hyjnë në Kosovë, transport deri në vendin e lindjes dhe ndërmjetësim për punësim.
Nga ky departament bëjnë me dije se përfitimet e tjera nuk do të ketë. Madje theksojnë se ndihmesat janë më të vogla krahasuar me ata që e kanë lëshuar Kosovën para vitit 2010./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme