Presidenca: Gjykata Kushtetuese nuk e ka hedhur poshtë dekretin e Osmanit

17:01 | 13 Janar 2023
E.H

Presidenca e Republikës së Kosovës ka sqaruar se vendimi i fundit Gjykatës Kushtetuese nuk e ka hedhur poshtë dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e Avni Kastratit nga posti i ambasadorit në Slloveni.

Por në këtë reagim, Presidenca nuk ka përmendur ndonjë emër mediash që kanë raportuar gabimisht lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili ka të bëjë me vendimet që kanë marrë Gjykata Themelore, Apeli dhe Supremja rreth padisë së ish-ambasadorit Avni Kastrati ndaj presidentes Vjosa Osmani për dekretin për shkarkim.

“Gjykata Kushtetuese nuk e ka hedhur poshtë dekretin e Presidentes. Lajmi i publikuar në disa mediume se “Kushtetuesja hedh poshtë dekretin e Presidentes për shkarkimin e Avni Kastratit si ambasador i Kosovës në Slloveni”, është i pasaktë. Në fakt, Gjykata Kushtetuese fare nuk e ka bërë vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të Presidentes.

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës është njoftuar sot nga Gjykata Kushtetuese se parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Kushtetuese ka pretenduar se gjykatat e rregullta kishin shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me Kushtetutë.

Si rrjedhojë, Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta kthej këtë çështje në Rivendosje në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Pra, në asnjë rrethanë nuk kemi të bëjmë me hedhje poshtë të dekretit të Presidentes, meqë Gjykata Kushtetuese nuk ka bërë vlerësim të kushtetutshmërisë së dekretit të Presidentes”, ka shkruar Bekim Kupina këshilltar i Presidentes.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka nxjerr vendim sot përmes të cilit ka konstatuar se vendimet e Gjykatës Themelore, asaj të Apelit dhe Gjykatës Supreme për padinë e ish-Ambasadorit të Kosovës në Slloveni, Avni Kastrati kundër dekretit për shkarkim të presidentes Vjosa Osmani janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, konkretisht Nenin 31 dhe 6.

Gjykata Themelore e Prishtinës kishte hedhur poshtë padinë e Avni Kastratit ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shkarkim duke thënë se ai s’mund të jetë objekt vlerësimi në procedurën e konfliktit administrative por se i njëjti mund të trajtohet nga Gjykata Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme