Policia e Shtetit shpall në kërkim 42-vjeçarin nga Kosova, i sekuestron një BMW me vlerë 140 mijë euro

14:12 | 7 Janar 2026
E.K

Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim një shtetas nga Kosova, pasi dyshohet se ka trafikuar një automjet me vlerë 140 mijë euro në Shqipëri.

Sipas raportimeve nga policia, është proceduar penalisht blerësi i automjetit të trafikuar, njëkohësisht drejtues i tij, në momentin e ndalimit në Vorë. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një automjet tip “BMW M-8”, me vlerë rreth 140 mijë euro, i dyshuar i vjedhur në Gjermani.

Në njoftimin e saj, Policia ka bërë me dije: “Vijon operacioni policor i koduar ‘Stolen line’, kundër trafikimit në Shqipëri, të automjeteve luksoze të vjedhura jashtë shtetit. Shkon 5 numri i automjeteve të sekuestruara që nga nisja e operacionit. Sekuestrohet 1 automjet tip ‘BMW M-8’, me vlerë rreth 140 000 euro, i dyshuar i vjedhur në Gjermani. Procedohet penalisht blerësi i automjetit të trafikuar, njëkohësisht drejtues i tij, në momentin e ndalimit në Vorë. Identifikohet dhe shpallet shtetasi kosovar që dyshohet se ka trafikuar këtë automjet në Shqipëri.”

Materiali shton se specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në kuadër të operacionit “Stolen line”, gjatë punës hetimore kanë konstatuar një rast tjetër të trafikut të automjeteve luksoze të vjedhura jashtë shtetit.

Në vijim të veprimeve procedurale është sekuestruar një tjetër automjet tip “BMW M-8”, me vlerë rreth 140 mijë euro, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Gjermani.

Në lidhje me këtë rast, Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasin që dyshohet se ka sjellë automjetin në Shqipëri me qëllim shitjen, F. H., 42 vjeç (shtetas kosovar). Ndërkohë, u procedua penalisht blerësi i automjetit, shtetasi E. D., 39 vjeç, i cili ishte drejtues i automjetit në momentin e ndalimit.

Policia bën të ditur se vijon puna për kapjen e 42-vjeçarit. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme lidhur me veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Shpërndaje në rrjete sociale