Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, kanë nënshkruar të premten një memorandum bashkëpunimi në mes të dy institucioneve, me qëllim të intensifikimit të koordinimit mes palëve në adresimin e shkeljeve të mundshme të konkurrencës.
Ky dokument i rëndësishëm parasheh bashkëpunimin në mes të palëve në fusha të ndryshme, përfshirë këtu shkëmbimin e informacionit, bashkërendimin e aktiviteteve, trajnimin dhe vetëdijesimin, e të tjera.
Por, një nga pikat kryesore të këtij memorandumi ka të bëjë me bashkëpunimin për kryerjen e kontrolleve të paparalajmëruara (apo siç njihet gjerësisht në gjuhën angleze si “dawn raids”) tek subjektet e dyshuara për shkelje të konkurrencës.
Kjo nënkupton që zyrtarët e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, kërkojnë një autorizim nga gjykata kompetente për të hyrë pa paralajmërim ose leje të veçantë në selinë dhe pronat e subjekteve të dyshuara, si dhe mund të kërkojnë asistencë nga zyrtarët e Policisë së Kosovës në raste specifike.
Kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi, ka mirëpritur nënshkrimin e këtij dokumenti, që sipas tij, krijon mundësi shtesë për Autoritetin që të parandalojë çfarëdo shkelje të mundshme të konkurrencës në Kosovë.
Ai ka falënderuar Drejtorin e Policisë për gatishmërinë e tij për nënshkrimin e këtij dokumenti të rëndësishëm.
Në anën tjetër, Drejtori Qalaj theksoi se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar që të ndihmojë të gjitha institucionet e vendit për të zbatuar misionin e tyre të përcaktuar me ligjet në fuqi. Sipas tij, ky memorandum do ta lehtësojë komunikimin dhe bashkëpunimin mes dy palëve. /arbresh.info/

Janjiq: Uashingtoni po e shtyn Kosovën dhe Serbinë drejt njo...
Seanca për rastin e spiunazhit ndaj Shabanit dhe Qerimit vaz...
Rama nënshkruan marrëveshje me KRM “Pastrimi” për menaxhimin...
Më shumë telashe për Real Madridin: Asencio dhe Rodrygo mung...
Kallas thotë se BE-ja pritet ta fusë Gardën Revolucionare të...
PDK thërret konferencë për media