Pllana priti në takim Drejtorin e Departamentit për Siguri dhe Rend Publik të OSBE-së

12:12 | 18 Shtator 2025
E.G

Drejtori Rajonal i Policisë në Ferizaj, Nënkolonel Faton Pllana, së bashku me stafin e tij, ka pritur në takim Drejtorin e Departamentit për Siguri dhe Rend Publik të OSBE-së, Betram Wesling.

Në fillim të takimit, Pllana e falënderoi Wesling për vizitën e tij të parë në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Ferizaj, duke e vlerësuar lart bashkëpunimin e deritanishëm mes Policisë dhe OSBE-së, shkruan Arbresh.info.

Gjatë diskutimeve, palët trajtuan çështje që lidhen me Strategjinë e Integruar të Policimit të Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi.

Drejtori Pllana informoi gjithashtu mbi masat konkrete që Policia Rajonale e Ferizajt ka ndërmarrë për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e fushatës elektorale dhe procesit zgjedhor.

Duke vlerësuar situatën aktuale, drejtori Pllana theksoi se rajoni i Ferizajt është i qetë dhe nën kontroll të policisë, gjë që krijon një ambient të sigurt për qytetarët.

Nga ana e tij, drejtori i OSBE-së, Wesling, shprehu gatishmërinë e tij për të thelluar bashkëpunimin dhe për të nisur projekte të përbashkëta me komunitetin, që synojnë rritjen e sigurisë dhe parandalimin e dukurive negative.

Palët u pajtuan që bashkëpunimi i ndërsjellë të vazhdojë, me theks në projekte të përbashkëta që lidhen me komunitetin, përmes fushatave të ndryshme me synim parandalimin e dukurive negative në shoqëri./Arbresh.info/