Petkoviq: Beogradi ka paguar energjinë e serbëve të Kosovës

00:30 | 20 Janar 2022

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se serbët në veriun e vendit nuk paguajnë faturat e energjisë elektrike.

Sipas tij Kurti po tenton të “shtrojë një tezë të rrejshme se kinse rryma në veri të Kosovës s’paguhet për vite”.

“Absolutisht çdo kilovat rrymë e konsumuar gjatë gjithë këtyre viteve është paguar siç duhet, sepse Beogradi zyrtar dhe EPS-ja kanë paguar energjinë elektrike, që ka ardhur në katër komuna në veri të Kosovës, përmes sistemeve të transmetimit EMS deri në fillim të vitit 2021”, ka thënë ai, shkruan RTS.

“Pra, bëhet fjalë për energjinë elektrike të Republikës së Serbisë, përmes së cilës, Beogradi e furnizoi veriun e Kosovës, që nga momenti kur Prishtina, para një dekade, ia ndërpreu furnizimin me energji elektrike veriut, gjë që mund të çojë në një katastrofë humanitare”.

Petkoviq thotë se institucionet e Kosovës e kanë përgjegjësinë për situatën e krijuar, meqë “refuzojnë vazhdimisht t’i lëshojnë licencën për furnizim me energji elektrike kompanisë Electrosever”.

Ai shtoi se Prishtina ka refuzuar ta diskutojë këtë çështje gjatë raundeve të fundit të dialogut në Bruksel.

Qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës kanë paguar me vite për rrymën e shpenzuar në veri, ndërsa nga viti 2017, borxhet e asaj pjese janë paguar nga buxheti i Kosovës.

Lajmet më të lexuara