Personazhi i vitit/ Rrahman Jasharaj flet për pikën e tij të dobët, goditjen më të rëndë që ka marr dhe nga kush

11:39 | 3 Janar 2023

Ishte personazhi më i komentuar dhe i përfolur gjatë vitit 2022. Krejt kjo për shkak të grevës njëmujore që u mbajt në arsim.

E kur përmendet fjala grevë, besoj se e dimë se për kënd bëhet fjalë.

Rrahman Jasharaj, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK, si njëri nga personazhet më të përfolura të vitit që e lamë pas.

Nuk mund të mos e kishim edhe në një intervistë për fundvit me të, raporton arbresh.info.

Por, si ishte viti 2022 për Jasharajn na tregon vetë ai.

“Viti 2022 është nga vitet më të vështira, e kam fjalën për sindikatat që nga pas lufta e këndej”, shprehet ai.

Greva në arsim e ktheu në qendër të kritikave kreun e SBASHK-ut, i cili thotë se i solli kërcënime e fyerje gjithandej .

“Ky vit na solli greva dhe bashkë me grevën solli edhe momente të këqija, pasi shpesh isha njëri nga personat më të fyer, por u mundova të i përballoj të gjitha ato fyerje sepse e dija se jam duke e kryer një detyrë dhe duke e ruajtur besimin që ma ka dhënë anëtarësia e SBASH-ut”, thotë Jasharaj.

Për gjithë ofendimet që janë bërë në drejtim të tij, Jasharaj ka diçka për të thënë.

“Jam mësuar me qeveritë, sepse edhe në të kaluarën kemi pas përplasje, por qeveritë e kaluara janë ruajtur më shumë ndaj nesh edhe ne ndaj tyre. Ka pas edhe deklarata të paarsyeshme të ministres Nagavci dhe ministrit Muratit me të cilët jam hidhëruar më shumë”, tregon kreu i SBASHK-ut.

Gjatë verës u përfol se e gjithë situata që ishte krijuar mes SBASHKU-t dhe Qeverisë Kurti, ka ndikuar në shëndetin e Jasharajt. Ai na tregon se nga kush e mori më shumë goditjen dhe pse.

“Goditja më e rëndë Elvis Hoxha kur e bëri atë shkrimin me rrena se gjoja unë paskam qenë dikur në një parti serbe, kur unë në atë kohë kam qenë aktivist sindikal duke u mundura ta mbrojmë arsimin shqip. Ai ka kërkuar falje , por plaga më ishte dhënë madje një plagë e madhe, edhe nëse të gjithëve do të ju a falja atij nuk do të ja falja kurrë por nuk do të hakmerren dhe ja kam lënë në fytyrën e tij”,  thotë ai.

Çfarë ka për të thënë Jasharaj për gjithë ofendimet që janë bërë në drejtim të tij?

“Ne mund të kemi përplasje e fjalosje me qeverinë sepse detyrë e jona është kjo, por asnjëherë nuk i kam kuptuar njerëzit të cilët pa u bërë asgjë  dhe pa ju përzier në punën e tyre kanë gjetur guxim dhe kanë përdorur një fjalor. Jam lënduar kur kam marr ofendime për vetën time dhe të gjitha këto janë bërë pa asnjë argument edhe nuk kam thënë gjë”, tregon Jasharaj për arbresh.info.

Kohën e lirë, Jasharaj e ka të kufizuar, për shkak se udhëton çdo ditë më autobus nga Prishtina drejt Pejës dhe anasjelltas, por si është çfarë bënë gjatë kohës së lirë,  na tregon vetë Jasharaj.

“Kohën e lirë e kam shumë të kufizuar sepse udhëtoj me autobus, shikoj TV lajmet debatet, pasi kemi qenë në lajme kogja shpesh, edhe gjatë kohës sa jam në autobus aty kaloj kohë me njerëzit”, tregon ai

Si ndjehet ai, kur e din se ka qenë më i përfoluri gjatë vitit 2022?

“Kam qenë njeriu më i përfolur dhe u bëra figurë qendrore për një kohë vazhdimisht në media, një pjesë më mbronte e një pjesë tjetër jo. Kolegët e mi dua të më kujtojnë edhe pas pensionimit si një njeri që është munduar ta mbajë fjalën e dhënë dhe është munduar të jetë zë i vërtetë i anëtarëve të SBASHKU-t”, rrëfen ai.

Cila është pika e dobët e Rrahman Jasharajt?

Për shkak të moshës që e ka, Jasharaj tregon se tanimë është bërë më emocional, dhe qan kur sheh ndonjë skenë prekëse në televizion.

“Pika ime e dobët ndoshta edhe nga mosha është shëndeti , sepse po e vërej se po bëhem shumë emocional, jo vetëm në çështjet që lidhen me mua, por edhe në televizion kur shoh ndonjë sekuencë të dhimbshme lehtë qaj. Njeriu kur është për një kohë të gjatë i lënduar emocionohet më lehtë”

Një moment të vështirë e kaloi edhe me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Bashën, ku kaloi në ofendime e tonë të larta të zërit.

Për Bashën, Jasharaj mendon se ka një energji pak të tepruar, dhe se gjuha e tij nxit debate.

“Jam munduar ta kuptoj sepse është deputet dhe ka pak energji të tepruar, e ka bërë atë angazhim gjoja për të treguar sesi e mbron partinë e tij në takimin që e kishim me grupin parlamentar në Komision Parlamentar. Ne nuk kishim shkuar atje të luftojmë, kishim shkuar që të gjejmë një mundësi zgjedhjeje për kërkesat tona me të vetmen dëshirë që greva të mbyllej. Ai erdhi i paftuar dhe unë i thash kryetarit të komisionit mos ja jep fjalën pasi Dimali ai nxiste debat të keq dhe e dija se me fjalën e tij do ta nxis debatin. Ai u mundua të më ofendojë por nuk ja arriti”

A do donte një vëlla si Kurti, apo më mirë pa vëlla fare, tregon Jasharaj

Gjatë kohës kur SBASHKU kishte takime me Qeverinë për të gjetur një zgjidhje, Jasharaj i kishte “kërkuar’ kryeministrit Kurti ta ndihmonte si vëlla, kjo deklaratë e tij pastaj bëri bujë në media.

Në mes të zgjidhjes një vëlla si Kurti apo djalë hasreti, Jasharaj zgjedh të jetë hasret pasi nuk e do një vëlla si Kurti.

“Vëlla me Kurtin unë e kam thënë në atë kuptim që të bisedojmë si vëlla, unë e si se Kurtin s’mund ta kem as nuk dua ta kem vëlla, por atij ju ka drejtuar me qëllimin më të mirë në formë lutje, se paku ta respektonte moshën, dhe e nxori edhe në parlament fjalën vëlla. Më vjen mirë që unë isha ai personazh që e riaktivizova fjalën vëlla, Kurti u mundua ta keqpërdor këtë, kjo fjala vëlla pastaj u përdor si për humor por jam i lumtur që e bërë aktuale fjalën vëlla”, thotë Jasharaj për arbresh.info.

Në vitin 2022 ishin mjaftë aktiv, çka pritet nga SBASHKU në vitin 2023?

Ne do të vazhdojmë me aktivitetet dhe me planin që e kemi për vitin e ardhshëm, SBASHKU në vitin 2023 do të angazhohet shumë më tepër, do të ketë hapësirë për kushte më të mira në punë

Jasharaj ka edhe një urim mjaft interesant për Kurtin.

“Urimi im është që ata ta ndërrojnë qasjen ndaj sindikatave, të kenë qasje më pozitive. Ta heq at kokëfortësinë që e ka, se atë që e thotë ai ashtu duhet të bëhet dhe të jetë, por t’i dëgjoj edhe të tjerët kur kanë këshilla të mira sindikatat mos t’i shoh si armiq, por t’i shoh si kundërshtarë në dialog dhe uroj që Kurti t’i pres më shpesh sindikatat në mënyrë që të bëjnë zgjedhje për kërkesat që vijnë nga anëtarësia për vitin 2023” , u shpreh ai.

Për vitin 2023, Jasharaj uron që të mos dëgjohet më kurrë fjala grevë

“Uroj që Kosova të pranohet në BE, më shumë perspektivë në Kosovë,  uroj që rinia e Kosovës ta gjej veten këtu. Uroj që të mos përmendet më kurrë fjala grevë  por të jetë një fjalë që do të hyjë në historikun e sindikatave ne jemi të vetëdijshëm që  me grevat në arsim po dëmtohen nxënësit”, ishte urimi i Jasharajt për fund./arbresh.info/ Kujtesë Berisha/

Shpërndaje në rrjete sociale