Përmbyllet me sukses modernizimi i njësisë prodhuese B2 të Termocentralit, Kurti: Ky është një sukses i madh i ekipit të KEK-ut

14:29 | 8 Tetor 2025
E.K

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministra në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të shoqëruar nga Ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit të KEK-ut, Gramos Hashani, Kryetari i Bordit të KEK-ut, Valdrin Krasniqi dhe anëtarë tjerë të bordit, vizituan sot Termocentralin “Kosova B”, me rastin e përmbylljes me sukses të punimeve dhe projektit për modernizimin e njësisë prodhuese B2, një prej projekteve më të rëndësishme të Korporatës Energjetike të Kosovës që nga ndërtimi i këtij termocentrali, që garanton stabilitetin afatgjatë të furnizimit me energji elektrike për gjithë vendin.

“Ky është një sukses i madh i ekipit të KEK-ut, i mbështetur nga qeveria dhe partnerët teknikë, që sot po kurorëzohet me rezultate të prekshme e të dukshme”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri Kurti falënderoi KEK-un, punëtorët, menaxhmentin, Bordin dhe Ministrinë e Ekonomisë, që tash te Njësia B2, kapaciteti prodhues ka kaluar shifrën 300 – duke arritur kështu kapacitetin e njësisë B2 në 318 megavat, dhe bashkë me 277 megavatën e B1-it, i afrohemi gjenerimit të gjithmbarshëm prej 600 megavat. Ai po ashtu u shpreh i gëzuar me njoftimin nga ushtruesi i detyrës së Kryeshefit, që sot jemi duke eksportuar energji elektrike, meqë konsumin vendor e mbulon KEK-u me gjenerim.

Duke folur për rëndësinë e këtyre investimeve në Bllokun 2 të termocentralit, ministrja Rizvanolli njoftoi se investime të ngjashme do të bëhen edhe në Bllokun 1 gjatë vitit të ardhshëm, ku gjithashtu atje do të vendosen edhe filterët. Ajo i falënderoi punëtorët e KEK-ut, menaxhmentin, kontraktorët dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë projekt, duke nisur nga negociimi i tij që është bërë gjatë periudhës 2022/23 deri te realizimi./Arbresh.info