Përfundon faza e parë e vaksinimit të kafshëve kundër rriqrave

10:43 | 7 Maj 2019

Ka përfunduar faza e parë e vaksinimit të kafshëve kundër sëmundjes “Krime Kongo”. Zëdhënësi i Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit, Lamir Thaçi, tha për Radio Kosovën se deri në fund të muajit, pritet të fillojë edhe faza e dytë e vaksinimit, ku do të përfshihet Malisheva në tërësi dhe disa fshatra të komunës së Rahovecit, Suharekës dhe Klinës.

Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, e ka përfunduar fazën e parë të vaksinimit të kafshëve kundër rriqrave, apo siç njihet me emrin sëmundja “Krime Kongo”, derisa së shpejti, pritet të vazhdohet edhe me fazën e dytë të këtij procesi. Kështu ka bërë të ditur për Radio Kosovën zëdhënësi i kësaj Agjencie, Lamir Thaçi, sipas të cilit, vaksinimi në të dy fazat do të përfshijë Komunën e Malishevës në tërësi por edhe disa fshatra të komunave të tjera.

“Do të realizohet për të gjitha kafshët, të gjitha fermat që përfshin Komunën e Malishevës, disa fshatra të Komunës së Rahovecit Suharekës dhe pak fshatra nga Komuna e Klinës”,tha Thaçi.

Thaçi tha se i gjithë procesi i vaksinimit po bëhet në bashkëpunim me komunat. Ndërsa për ta kryer këtë proces, Agjencia e Veterinës i ka angazhuar dy kompani.

“Janë të kontraktuar dy operatorë të biznesit, të cilët do ta kryejnë këtë fushatë të vaksinimit. Të gjitha komunat apo drejtoritë komunale përkatëse janë duke bashkëpunuar në vazhdimësi, jo vetëm këtë vit”,shtoi ai.

Vaksinimi i kafshëve kundër rriqrave apo sëmundjes që njihet me emrin “Krime Kongo” në Kosovë, ka bërë që në vitet e fundit, të mos ketë asnjë rast nga këto simptoma. Projekti zgjatë tri vite dhe kap vlerën e 132 mijë eurove./rtklive

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara