Për tre muaj, 3 mijë e 410 aksidente trafiku në Kosovë

14:44 | 12 Prill 2018

Hyrja në zbatim e ligjit të ri për gjobat e shqiptuara në trafik nga 1 janari i vitit 2018 ka ndikuar në një ulje simbolike të numrit të aksidenteve gjatë tremujorit të parë të këtij viti, mirëpo numri i madh sërish mbetet shqetësues.

Në një përgjigje për lajmi.net, nga Policia e Kosovës bëhet e ditur që vetëm gjatë këtij tremujori të parë që përfshin periudhën janar shkurt dhe mars kanë ndodhur gjithsej 3 mijë e 410 aksidente trafiku.

Nga ky numër i përgjithshëm i aksidenteve, 14 prej tyre janë shënuar me fatalitet ndërkaq që 17 persona kanë vdekur në këto raste.

Në anën tjetër, 2661 persona kanë mbetur të lënduar në gjithsej 1 mijë  e 310 aksidente me të lënduar përgjatë tre muajve në territorin e Kosovës.

Bazuar në të dhënat statistikore vërehet një rënie prej mbi 10% e numrit total të aksidenteve në trafik, duke përfshirë edhe rastet e aksidenteve me fatalitet që shënojnë po ashtu rënie rreth 20% për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, në të cilën ishin shënuar 18 aksidente me fatalitet ku kishin mbetur të vdekur 21 persona.

Mirëpo gjithsesi, këtë vit numri i aksidenteve me lëndime është rritur për rreth 10 %, ku gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar në 1 mijë  e 200 aksidente trafiku me lëndime, u lënduan 2 mijë  e 401 persona.

Numri total i aksidenteve të trafikut gjatë vitit të kaluar ishte 3 mijë 811.

Policia e Kosovës përmes kësaj përgjigje për lajmi.net, ka njoftuar se po vazhdon që me njësitet e saj të monitorojë situatën në trafikun rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit, dhe aty ku pjesëmarrësit bien ndesh me rregullat në trafik, masa ndëshkuese ligjore do të aplikohen në vazhdimësi me qëllim të parandalimit të rasteve të aksidenteve të të gjitha llojeve, në veçanti ato me humbje të jetëve njerëzore.

Me qëllim të reduktimit të aksidenteve në trafikun rrugo, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti drejtuesit e automjeteve, që të jenë të kujdesshëm dhe sa më vigjilentë gjatë drejtimit të automjeteve të tyre./Lajmi.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara