Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur të dënojë Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) me një gjobe totale prej 8 mijë euro për dy raste të ndryshme të pengimit të gazetarëve gjatë fushatës zgjedhore.
Në një nga rastet, LVV-ja është dënuar me 5 mijë e 500 euro për pengimin e gazetarëve në tubimin e saj në Malishevë, të mbajtur më 25 janar 2025.
Ankesën për këtë incident e kanë paraqitur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), bashkë me partnerët e tyre në koalicion.
Sipas ankuesve, zyrtarë të LVV-së gjatë këtij tubimi i janë drejtuar një gazetare me fjalët: “Çka keni lyp me ardh k’tu? Ju jeni ma zi se të Serbisë”, dhe për të penguar prezencën e tyre në fushatë, kanë kërkuar leje specifike. LVV-ja ka një afat prej 15 ditësh për të paguar gjobën.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila është gjobitur në këtë rast, ka kundërshtuar ankesën, duke argumentuar se ajo mbështetet vetëm në pohime tekstuale dhe jo në prova konkrete.
LVV-ja theksoi se nga provat materiale është evidentuar vetëm njoftimi për tubimin e mbajtur nga ana e tyre.
Vendimin e plotë të PZAP-së mund ta lexoni KËTU.
Përveç kësaj, LVV-ja është dënuar edhe me një gjobe prej 2 mijë e 500 euro për një rast tjetër të pengimit të gazetarëve gjatë tubimeve elektorale.
Në këtë rast, ankesën në PZAP e ka paraqitur PDK-ja. Sipas ankuesit, organizatori i tubimit të LVV-së në Klinë i është drejtuar gazetarëve me fjalët: “Po fluturoni prej ktuhit”.
Edhe në këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar ankesën, duke theksuar se ajo mbështetet vetëm në pohime tekstuale dhe jo në prova materiale. LVV-ja vuri në dukje se e vetmja provë e disponueshme është njoftimi për tubimin e mbajtur nga ana e tyre.
Vendimin e plotë të PZAP-së mund ta lexoni në këtë KËTU.
Për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, janë certifikuar 28 subjekte politike me një total prej 1,280 kandidatësh.
Fluksi në pikat kufitare: 1 km kolonë në Muçibabë
Rama paralajmëron taksë: Nga 1 euro për veturat nga qytetet ...
Bllokime rrugore në Shkodër, mbi 200 mjete të ndaluara nga d...
Bora përfshin Shqipërinë, Rama: Ekipet në terren për të gara...
Votat nga diaspora: LVV prin me 87.19% të votave të numëruar...
Elezi: Edhe 5 komuna përmbyllin numërimin e votave të kandid...