Partia Demokratike e Kosovës, konsideron se “shumica parlamentare po prodhon krizë të re politike”, pas propozimit të LVV-së emrin e Glauk Konjufcës për president të vendit.
Sipas PDK-së “përkundër mandatave që ia kanë besuar qytetarët, Lëvizja Vetëvendosje ka treguar paaftësi për të qeverisur dhe papërgjegjshmëri, duke prodhuar kriza, polarizim dhe stagnim politik”.
PDK thekson se “zgjedhja e Presidentit nuk është garë për opozitën dhe nuk do të duhej të ishte as lojë politike për shumicën parlamentare”
Reagimi i plotë i PDK-së:
Partia Demokratike e Kosovës shpreh keqardhjen e saj që për shkak të papërgjegjshmërisë së shumicës parlamentare dhe mosgatishmërisë së z. Kurti për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse apo ndërpartiake, vendi po përballet me rrezikun e moszgjedhjes së Presidentit të ri dhe po shkon drejt një krize të panevojshme institucionale.
Zgjedhja e Presidentit nuk është garë për opozitën dhe nuk do të duhej të ishte as lojë politike për shumicën parlamentare. Numrat në Kuvendin e Kosovës janë të qartë dhe detyrimi kushtetues i shumicës parlamentare është të sigurojë funksionimin normal të institucioneve.
Përkundër mandatave që ia kanë besuar qytetarët, Lëvizja Vetëvendosje ka treguar paaftësi për të qeverisur dhe papërgjegjshmëri, duke prodhuar kriza, polarizim dhe stagnim politik.
Në vend të një qasjeje të përgjegjshme dhe shtetërore, shumica parlamentare ka vendosur të kandidojë një kandidat tërësisht partiak, pa koordinim me subjektet e tjera dhe pa mundësinë e arritjes së konsensusit.
Partia Demokratike e Kosovës ka vepruar gjatë gjithë këtij procesi me maturi dhe përgjegjësi politike. Ne kemi marrë pjesë në konsultime, kemi hequr vijat e kuqe për të krijuar hapësirë për një zgjidhje dhe kemi qenë të gatshëm të mbështesim një kandidat konsensual që garanton unitet dhe stabilitet institucional.
Si kontribut për stabilitetin, pas mosarritjes së një kandidature konsensuale, si subjekti më i madh politik opozitar kemi kërkuar që të zgjidhet një President i propozuar nga PDK-ja, si mekanizëm balancues për të shmangur përqendrimin e pushtetit në duart e një partie të vetme.
Fatkeqësisht, të gjitha këto mundësi u refuzuan.
Përgjegjësia për situatën e krijuar dhe për pasojat që mund të sjellë bie plotësisht mbi shumicën parlamentare dhe mbi ata që e kanë mandatin për ta qeverisur vendin.
Kosova ka nevojë për stabilitet politik, institucione funksionale dhe lidership që vendos interesin e shtetit mbi interesin partiak.
Presidenca: Pretendimet për përkrahje nga LVV për rizgjedhje...
Nagavci: Ne e kemi kandidatin tonë, presim nga PDK dhe LDK t...
Nagavci: Ia kemi ofruar 30 nënshkrime Vjosa Osmanit, i ka re...
Nesër mblidhet Kuvendi i Kosovës
IKD: Shkarkimi i Zëvendësuesit të Sekretarit në prag të zgje...
Rodrygo ka luajtur me këputje të pjesshme të ACL-së që nga v...