Pasi e gjuajti me ujë, Musliu paralajmëron padi ndaj ministrit Peci

16:21 | 21 Dhjetor 2021
A Z

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës Ganimete Musliu, ka mbajtur një konferencë për media pas përplasjes që ka pasur me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci, brenda mbledhjes në komision.

Sipas saj, Peci e ka injoruar vazhdimisht atë në lidhje me pyetjet e parashtruara nga ajo rreth thirrjes së granteve të publikuar nga kjo ministri.

“Siç jeni në dijeni që nga 25 nëntori kam kërkuar sqarim nga Peci për të ditur se çfarë ka ndodhur me thirrjen për grante. Në Kuvend, ai ka thënë se kjo thirrje është anuluar. Në pyetjen time pasuese se pse është anuluar, ai e ka anashkaluar pyetjen time dhe nuk ka dhënë përgjigje. Kam kërkuar nga ministri që të ma dërgojë me shkrim vendimin e anuluar dhe nuk e kam marrë. Më 2 dhjetor kam protokolluar një pyetje me shkrim ndaj ministrit. I bie që ministri e ka marrë pyetjen më 3 dhjetor. Pasi që ai e ka marrë këtë pyetje, ai më 7 dhjetor e ka publiku vendimin për anulim të kësaj thirrjeje. Kur ka ardhë pyetja në Kuvend, unë i kam adresuar pyetjen meqë nuk kisha marrë sqarim më 25 nëntor. Ai ka filluar të më tregojë për arrestimet, në vend që të më jap përgjigje. Unë i kam bërë pyetje shumë të qartë meqë është obligative që anulimi duhet të jetë publik. Ministri ka filluar të më ofendojë se kinse unë i kam marrë për vete grantet. Askush as nga unë as nga familja ime nuk ka marrë dhe as aplikuar për këto”, tha ajo.

Ajo tha se ai e ka akuzuar atë pa asnjë bazë se qëndron prapa krimit, dhe se për këtë ajo do ta padis ministrin.

Po ashtu deputetja Musliu tha se nuk tërhiqet nga veprimi i saj.

“Ministri shkon edhe më tej me mashtrime dhe manipulime dhe tash është i zënë se gjithçka është elektronike. I zënë me presh në dorë, ai fillon të fyejë dhe të akuzojë. Kërkova nga ministri të dij edhe për një letër ku më bën përgjegjëse për shumë akte kriminale. Për këto akuza të ministrit, ai më akuzoi se qëndroj prapa krimit. Dhe për këtë unë do të ngris padi ndaj ministrit Peci. Në momentin që ai fillon të më bëj pjesë të krimit, unë i kërkoj kryetares së Komisionit që ta ndërpres fjalën. Unë nuk tërhiqem, e kam bë me vetëdije të plotë. E kam gju me ujë për të ndërprerë shpifjet dhe akuzat në drejtim timin”, tha Musliu./arbresh.info/