Pas Vuçiqit, shefja e BE-së takon Kurtin

14:20 | 15 Tetor 2025
Gita

Ka nisur takimi i kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila po qëndron sot për vizitë zyrtare në Prishtinë.

Në takim po marrin pjesë edhe ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, si dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.

Para disa minutave, presidentja e Komisionit Evropian është pritur në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ndërsa para se të mbërrinte në Prishtinë, Ursula von der Leyen ka vizituar Beogradin, ku është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në konferencën e përbashkët për media, Vuçiq ka bërë të ditur se një ndër temat kryesore të diskutimit ka qenë dialogu Kosovë–Serbi.

Ndryshe, herën e fundit që Von der Leyen kishte qëndruar në Kosovë ishte në tetor të vitit të kaluar, kur kishte folur për masat ndëshkuese që blloku evropian i ka vendosur ndaj Kosovës. Që atëherë, blloku ka njoftuar se ka nisur heqjen e disa masave, që u vendosën më 2023 për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe./Arbresh.info/