Parku Përkujtimor Dr. Ibrahim Rugova dhe Biblioteka Presidenciale”, Zogaj: Ky projekt do të jetë një pikë referimi për të gjithë kombin

14:03 | 21 Janar 2025
Q L

Nënkryetari i Prishtinës, njëherësh kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet në Kuvendin e Kosovës, Alban Zogaj ka bërë të ditur se sot kanë nënshkruar deklaratën e fillimit të konkursit arkitektonik ndërkombëtar për dizajnimin e “Parkut Përkujtimor Dr. Ibrahim Rugova dhe Bibliotekës Presidenciale”.

Zogaj në një postim në Facebook thekson se ky projekt do të jetë një pikë referimi për të gjithë kombin.

“Ky projekt do të jetë një pikë referimi për të gjithë kombin, një hapësirë që do të ruajë kujtimin e përhershëm për vizionarin dhe liderin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ndërsa do të shërbejë si burim dijeje për brezat që vijnë.”

Po ashtu Zogaj tha se “Ftojmë arkitektët më të mirë nga e gjithë bota të sjellin vizionet e tyre dhe të kontribuojnë në realizimin e një projekti që do të mishërojë vlerat tona kombëtare, historinë dhe trashëgiminë intelektuale.”

E krejt në fund ai shtoi “Ky është vetëm fillimi i një procesi që do ta transformojë këtë hapësirë në simbol të përhershëm të unitetit, kulturës dhe arsimit”.”/Arbresh.info/