Paralajmëron LBK: Kosova humb qindra milionë euro për shkak të bllokadës institucionale

12:08 | 8 Gusht 2025
E.K

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka ngritur alarmin për një krizë të thellë dhe të paprecedentë, e cila, sipas saj, po ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit.

Në një komunikatë për media, LBK thekson se mungesa e institucioneve funksionale dhe mosratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare po i kushtojnë Kosovës humbje të mëdha financiare dhe po e pengojnë atë të transformohet në një ekonomi konkurruese dhe të qëndrueshme.

Sipas të dhënave të publikuara nga LBK, nga fillimi i vitit 2024 deri në mesin e vitit 2025, Kosova ka humbur rreth 600 milionë euro për shkak të mosaksesimit të fondeve ndërkombëtare në sektorë strategjikë si mjedisi, energjia dhe kultura.

“Kosova rrezikon të mbetet prapa, në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor po përfitojnë mbështetje të avancuar nga Bashkimi Evropian. Mbi 60 milionë euro parafinancim nga Plani i Rritjes së BE-së, pjesë e një pakete prej 880 milionë eurosh, janë në rrezik të humbjes – fonde jetike për investime në infrastrukturë, energji, digjitalizim dhe zhvillim të qëndrueshëm”, thuhet në komunikatë.

Ngërçi institucional ka bllokuar jo vetëm fondet nga BE-ja, por edhe 90 milionë euro nga Banka Botërore, që mbeten të ngrira për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit.

Pasojat ekonomike janë alarmante: sipas LBK-së, besimi i bizneseve është në rënie, investimet e huaja po ngadalësohen dhe projektet buxhetore po ngecin. Humbjet për ekonominë e vendit, sipas llogaritjeve të LBK-së, kapin vlerën e mbi 1.2 milionë eurove në ditë.

LBK u bën thirrje të gjitha subjekteve politike që të veprojnë me urgjencë dhe përgjegjësi për të zgjidhur krizën institucionale që, sipas tyre, “po dëmton rëndë shtetin dhe qytetarët”.

“Çdo ditë pa institucione funksionale është një ditë më shumë drejt regresit ekonomik, izolimit ndërkombëtar dhe humbjes së mundësive historike për zhvillim”, përfundon komunikata e LBK-së.

Shpërndaje në rrjete sociale