Paralajmërohen vërshime në zonën e Dukagjinit

08:16 | 26 Shtator 2022
A. B.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka paralajmëruar vërshime në disa komuna në zonën e Dukagjinit, si rezultat i reshjeve që pritet të bien gjatë kësaj jave.

Sipas IHMK-së, kjo mund të ndodh nga pasditja e sotme e deri më 27 shtator.

Komunat më të rrezikuara nga vërshimet do të jenë Gjakova, Juniku, Deçani, Peja, Klina, Malisheva dhe Rahoveci.

“Sipas parashikimeve dhe llogaritjeve të IHMK_së, (Sektorit të Hidrologjisë dhe Prognozave Hidrologjike), duke filluar nga pasditja e datës 25 deri më 27 shtator 2022, pritet të ketë reshje shiu, fillimisht në pjesën perëndimore, jugore dhe qendrore, të cilat gradualisht do ta përfshinë pjesën më të madhe të vendit, në disa pjesë, parashikohet të jenë me intensiteti mesatarë deri të lartë, kryesisht në pjesë perëndimore të vendit.

Nëpër disa pjesë të Kosovës, sidomos në Dukagjin, pastaj pjesa qendrore dhe verilindore e vendit, mund të krijohen vërshime të shpejta, të cilët mund të shkaktojnë vështirësi dhe probleme, si në rrëshqitje të dheut, mbyllje të sistemit të kanalizimeve dhe vështirësi në qarkullim”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

IHMK shton se këtë situatë mund ta vështirësojnë edhe reshjet nga java e kaluar, të cilat kishin shkaktuar përmbytje në disa komuna, tokat e rrafshëta të të cilave tani duket se janë të tejngopura me ujë dhe është limituar kapaciteti i tyre thithës gjegjësisht lagështia e tokës në shtresën sipërfaqësore.

Ndryshe moti gjatë kësaj jave do të jetë i ndryshueshëm. Dita e hënë fillon me vranësira të dendura të cilat gjatë ditës parashihen të sjellin reshje shiu të intensitetit mesatar deri të lartë. Kushte afersishtë të ngjashme të motit priten edhe ditën e martë ku pos reshjeve parashihen edhe pak rreze dielli dhe mundesi për shkarkime rrufesh.

Të mërkurën vranësira më të theksuara dhe më pak reshje të cilat nuk do të përfshijnë gjithë territorin. Të enjten dhe të premten mot më stabil dhe me rritje të lehta të temperaturave në të dy vlerat ekstreme. /arbresh.info/

 

Të ngjashme