Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Takimin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, që u mbajt në Shkup të Maqedonisë së Veriut, nën tematikën “Stabiliteti, Uniteti dhe e Ardhmja”.
Ai udhëtoi mbrëmë për në Shkup, për të qenë pjesë e darkës me liderët pjesëmarrës në samit, të shtruar nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Mickoski, ndërkaq sot, kryeministri Kurti ishte pjesë e panelit të parë të diskutimit ndërmjet liderëve me temën “Plani i Rritjes: Vlerësim, puna e ardhshme dhe komunikimi”.
Në fjalën e tij, ai vlerësoi Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian si një hap të rëndësishëm, duke theksuar se mbështetja e BE-së për vendet e rajonit duhet të jetë në përputhje me përkushtimin e tyre ndaj reformave, progresit demokratik dhe vlerave të përbashkëta evropiane. Në këtë kuadër, ai kërkoi që Kosovës t’i garantohet qasje e barabartë në programet dhe instrumentet e Bashkimit Evropian.
Kryeministri Kurti rikonfirmoi mbështetjen e Kosovës për nismat e BE-së në kuadër të Planit të Rritjes, përfshirë turizmin, mbrojtjen e konsumatorit dhe “Autostradën e Tregut të Përbashkët”, ndërsa propozoi tre sektorë të tjerë me potencial bashkëpunimi: shërbimet digjitale konkurruese, përfshirë zhvillimin e softuerëve, sigurinë kibernetike, inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e strukturuara; sektorin e mbrojtjes; dhe sektorin e bujqësisë dhe përpunimit të ushqimit. Për këtë nismë, ai shtoi se nearshoring-u duhet të jetë gjithashtu i orientuar drejt partnerëve të besueshëm (friendly shoring), dhe se kjo është një mundësi e madhe jo vetëm për rajonin tonë, por edhe për Bashkimin Evropian.
Ai theksoi disa fusha të progresit që nga takimi i fundit në Kotor, përfshirë edhe kryesimin e Kosovës në CEFTA. Bëri thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Procesin e Berlinit, përfshirë atë për diploma dhe lëvizje të lirë me letërnjoftime. Pas vendimit për heqjen e vizave, hyrjet nga qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës në Kosovë u rritën dukshëm. Meqë qytetarët boshnjakë udhëtojnë lirshëm në Kosovë, edhe qytetarëve të Kosovës duhet t’u mundësohet e njëjta liri në Bosnje dhe Hercegovinë.
Në përmbyllje, Kryeministri Kurti theksoi se siguria është parakusht për zhvillim dhe rritje, duke vënë në pah se Ballkani Perëndimor nuk është i shkëputur nga rrafshi gjeopolitik i Evropës. Ai mirëpriti angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të parandaluar Iranin që të pajiset me armë bërthamore, si dhe vendimin e anëtarëve të NATO-s në Samitin e Hagës për të rritur shpenzimet për mbrojtje në 5% të Bruto Prodhimit Vendor./Arbresh.info/
Zyrtare: Carlo Ancelotti në krye të Brazilit deri në vitin 2...
Amerikanët kapën tre ton kokainë me vlerë rreth 40 milionë e...
Hashim Thaçi rrëfen takimin emocional me Adem Demaçin para p...
Hashim Thaçi nga paraburgimi: Kosova më pro-amerikane në bot...
Pamje nga vendi i ngjarjes ku mbeti i plagosur 25-vjeçari në...
41 persona nën monitorim për hantavirus në SHBA