Padia ndaj Serbisë për gjenocid në GJND apo në GJPN?

22:42 | 26 Mars 2021

Kosova duhet të nisë përgatitjet dhe të mbledhë provat për të dëshmuar se forcat serbe kanë kryer gjenocid në Kosovë, ndërkaq që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet ta çojë drejt realizimit premtimin për ngritjen e padisë për gjenocid ndaj Serbisë, vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike ndërkombëtare, profesori Afrim Hoti dhe profesori Ismet Salihu.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë rreth 13,500 persona. Muaji më i përgjakshëm ishte prilli i vitit 1999 kur u vranë 4,082 persona.

Në ekspozenë e tij, kryeministri Kurti, me rastin e marrjes së besimit nga Kuvendit i Kosovës për formimin e qeverisë, më 22 mars, ka deklaruar se gjatë mandatit të tij qeverisës, synon që të realizohet ngritja e “padisë ndaj krimit të gjenocidit të Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND)”.

Megjithatë, Hoti dhe Salihu kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me atë se a duhet Kosova të synojë që një padi të tillë ta parashtrojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, si dhe për mundësitë që janë për një gjë të tillë, marrë parasysh që Kosova ende nuk është antare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Një padi të tillë, e kishte përmendur disa herë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por ai asnjëherë nuk e kishte specifikuar se pranë cilës gjykatë do të ngritej ajo.

Një padi të tillë, e kishte përmendur disa herë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por ai asnjëherë nuk e kishte specifikuar se pranë cilës gjykatë do të ngritej ajo.

Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se për ngritjen e një padie kundër gjenocidit të Serbisë në Kosovë, mundësia ekziston, marrë parasysh faktin që krimet e luftës, përfshirë edhe gjenocidin, janë vepra, të cilat nuk mund të parashkruhen.

Por, sipas tij, në kuptimin formal, Kosova gjendet para vështirësive të caktuara, për shkak se pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, mund të aplikojnë vetëm shtetet që janë anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pjesë e së cilës Kosova nuk është ende.

Siç vlerëson Hoti, ekziston edhe mundësia që pranë kësaj gjykate mund të ngritin padi edhe entitetet e caktuara, të cilat paraprakisht obligohen t’iu nënshtrohen rregullave dhe procedurave të kësaj gjykate.

Profesor Hoti thotë që Kosova mund ta shfrytëzojë këtë mundësi, ndonëse, ai shprehet skeptik se mund të dalë një rezultat pozitiv për të.

“Është një deklaratë, që deponohet në Gjykatën Ndërkombëtare (të Drejtësisë) përmes të cilës Republika e Kosovës, si shtet që nuk është anëtar i OKB-së, deklaron që e pranon autoritetin e gjykatës dhe i pranon vendimet që jepen nga GJND-ja. Në raste shumë të rralla, që njihen si të tilla, megjithatë, statuti i gjykatës e lejon një mundësi të tillë. Janë shumë të rralla edhe entitetet ose subjektet që kanë pozicion pak a shumë të ngjashëm si Kosova, sepse palë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë vetëm shtetet e pavarura dhe sovrane, ato të cilat janë pjesë e OKB-së”, thekson Hoti.

Ai shtoi se Kosova mund ta shfrytëzojë mundësinë për të ngritur akuzë ndaj Serbisë për krime të gjenocidit, por ai është skeptik se a mund të dalë ndonjë rezultat pozitiv për të, marrë parasysh që procedura është mjaft e komplikuar.

“Ne duhet të bëjmë një dallim elementar dhe shumë esencial ndërmjet deklarimeve politike, sepse nëse deponojmë deklaratën, respektivisht padinë, nuk do të thotë që e kemi përmbyllur procesin. Ai do të mund të konsiderohet si një veprim juridik, mirëpo, për konfirmimin e tij ose për vërtetimin e ekzistimit të krimit, duhet të deponohen edhe shumë fakte të tjera për ta pranuar gjykata”, u shpreh Hoti.

Përplasjet me padi në GJND

Profesor Hoti përkujton që në vitin 1999, një padi ndaj Serbisë në GJND e kishte ngritur Kroacia, për gjenocid gjatë luftës së viteve 1991-1995.

Ndërkaq në vitin 2010, Serbia kishte paraqitur nje kundër-padi, me pretendimin se rreth 200 mijë serbë etnikë janë detyruar të zhvendosen, kur Kroacia kishte filluar operacionin ushtarak në kërkim të territoreve të pretenduara prej saj.

Në vitin 2015, GJND-ja ka vendosur se as Serbia, e as Kroacia, nuk kanë kryer gjenocid kundër kroatëve, përkatësisht serbëve, gjatë luftës që zgjati mes viteve 1991 – 1995.

Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar se vrasjet e rreth 8 mijë muslimanëve të Bosnjë e Hercegovinës në Srebrenicë, kanë përbërë gjenocid.

Kjo gjykatë kishte thënë se Serbia nuk e kishte parandaluar gjenocidin, por gjithashtu edhe se nuk kishte prova të mjaftueshme që Serbia kishte përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këtë.

Në vitin 2017, GJND-ja kishte hedhur poshtë kërkesën e Bosnjë e Hercegovinës për rishikimin e vendimit të vitit 2007.

Salihu: Opsioni më i mirë GJPN-ja

Profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se ideja që Kosova të ngritë padi ndaj Serbisë për krime të gjenocidit, është e mirë, ndonëse e vonuar.

Megjithatë, siç thotë ai, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, cilido qoftë ai, në rast se Kosova eventualisht deponon padinë, do të kishte karakter vetëm këshillëdhënës dhe jo obligues.

Marrë parasysh këtë dhe komplikimet tjera, siç i quan ai, Kosova do të veprojë drejtë në rast se padinë e tillë do ta ngritë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN).

Në literaturën juridike, kjo gjykatë njihet edhe si Gjykata e Romës, për shkak të miratimit të statutit të saj në Romë, në korrik të vitit 1998, në Konferencën Diplomatike.

Si palë nënshkruese të Statutit të Romës janë 123 vende, anëtare të OKB-së, në mesin e të cilave edhe Serbia. Të gjitha ato shtete pranojnë juridiksionin e kësaj gjykate.

Statuti i Romës përcakton që prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, mund të nisë hetimet në bazë të rekomandimit nga çdo shtet që është palë ose nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Por, gjithashtu, prokurori mund të nisë hetime mbi bazën e informatave për krime brenda juridiksionit të gjykatës, të cilat i merr nga individë ose organizata të caktuara.

Kjo gjykatë, sipas profesor Salihut, sjell vendime juridikisht obliguese. Por, marrë parasysh që Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe as nënshkruese e Statutit të Romës, siç thotë ai, mund të shfrytëzohet mundësia e gjerë e veprimit të prokurorëve të kësaj gjykate.

“Mundësia e fillimit të procedurës penale pranë kësaj gjykate është mjaft e gjerë. Kjo mundëson ushtrimin e juridiksionit të kësaj gjykate në mënyrë më të gjerë. Deri më tani, sipas njohurive të mia, mbi 100 lëndë janë në pocedurë e sipër në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, që është e përhershme. Kështu që një grup i njerëzve, sikurse entiteti jonë ose një grup i veprimtarëve të Kosovës, mund ta iniciojnë procedurën pranë prokurorit të kësaj gjykate”, theksoi Salihu.

Ai shtoi se për të iniciuar procedurën penale pranë Gjykatës Penale Ndërkombëtare, kërkohet punë jashtëzakonisht serioze në Kosovë.

Profesor Salihu thekson që paraprakisht duhet të formohet një grup i ekspertëve të lëmisë penale, në nivel kombëtar të vendit.

“Ai grup i ekspertëve, i profesionistëve, duhet t’i mbledhë faktet dhe provat, me më së paku një vit ose dy vjet punë sistematike dhe të përcaktojë që me prova dhe të dhëna të argumentuara të bëhet propozimi. Kjo për shkak se prokuroria mund të nisë procedurën penale ose të ngitë akuzën vetëm në bazë të provave dhe jo në bazë të debateve, propozimeve dhe mendimeve që jepen nëpër media. Kjo është çështje serioze, prandaj këtu duhet të punohet shumë, në mënyrë që padia të ketë sukses”, u shpreh Salihu.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ekspozenë e tij, kur ka deklaruar synimin për “padi ndaj krimit të gjenocidit të Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka theksuar se në funksion të këtij synimi do “të themelohet Institutit për hulumtimin e krimeve gjatë luftës, me mision të përcaktuar qartë, me financim adekuat dhe me njerëz profesionistë dhe kompetentë”.

Ai gjithashtu ka paralajmëruar fuqizimin e “departamentit për krime të luftës brenda Prokurorisë Speciale, krijimin e një njësie të veçantë e të specializuar brenda Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, për verifikimin shkencor të fakteve dhe dëshmive, si dhe miratimin e një legjislacioni të veçantë për mbrojtjen e identitetit dhe të dhënave të viktimave të krimeve në Kosovë”./

Lajmet më të lexuara