Padia e Haradinajt për Listën lajm gjithandej nëpër mediat serbe

19:26 | 25 Shkurt 2017

Lista Serbe nuk do të shpëtojë nga padia për fyerje e shpifje, që avokati i Ramush Haradinajt, Arianit Koci, e ka paralajmëruar në Facebook, pas lajmit të publikuar në Tanjug me titullin “(Stipe)Mesiq kriminelët e luftës i quan miq”, duke iu referuar deklaratës së ish-presidentit kroat, i cili gjatë qëndrimit të tij në Kosovë vizitoi AAK-në, ku edhe tha se “miku im Haradinaj shpejt do të kthehet në Kosovë”.

Lajmi nga Tanjug është publikuar mbrëmë në orën 20:22 ndërsa atë e kanë përkthyer e publikuar në shqip të gjitha mediat në Kosovë.

Slavko Simiq, lideri i Listës Serbe veç në mbrëmjen e ditës tjetër, sot, afërsisht rreth 24 orë më pas, ka thënë shkurt për një portal në Kosovë se “kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm me AAK-në”. Por, s’ka mohuar dhe demantuar fjalëpërfjalshëm lajmin e Tanjugut.

Prandaj, avokati Arianit Koci ka thënë për Klan Kosovën se padia qëndron pikërisht për shkak se Lista Serbe nuk ka bërë demant të lajmit të publikuar në agjencinë serbe të lajmeve.

E lajmi për padinë që Haradinaj do t’i bëjë Listës – partnerit të koalicionit qeveritar – është dhënë gjithandej nëpër mediat serbe, njofton Klan Kosova. .

Vet Tanjug e ka publikuar paralajmërimin e Kocit për padi, të autorizuar, siç ka treguar, nga klienti i tij, ish-kryeministri i Kosovës, që për momentin gjendet në Francë, duke pritur vendimin për ekstradim apo jo, me kërkesë të autoriteteve serbe nën pretendimin se Haradinaj ka kryer krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Është edhe gazeta serbe Blic që e ka botuar njoftimin e Kocit për padi dhe po ashtu reagimin e shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, i cili tha se udhëheqësit e Listës Serbe janë një “grup banditësh të veshur në petkun e politikanëve”.

Gjithashtu gazeta tjetër, Vecernje Novosti, jep lajmin për padinë që do të ngritë Haradinaj për Listën Serbe.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara