Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, para hyrjes në Samitin e Liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Kopenhagë, ka deklaruar se Serbia e drejtuar nga Aleksandar Vuçiq po ndjek modelin e Kremlinit në raport me fqinjët.
“Vuçiq është përpjekur ta kopjojë Putinin duke përdorur taktika agresioni dhe destabilizimi kundër fqinjëve. Dhe për këtë arsye është shumë, shumë e rëndësishme që shtetet anëtare të BE-së të kuptojnë se shpërblimi i Serbisë për qëndrimin me Rusinë nuk është rruga përpara. Vendet që janë në një përputhje 100% me BE-në duhet të shpërblehen, jo ata që kanë zgjedhur Moskën si rrugën e tyre përpara”, theksoi Osmani.
Ajo e bëri të qartë se kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë në Evropë nuk burojnë vetëm nga Rusia, por edhe nga Serbia si “zgjatimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor”.
“Aktualisht ekzistojnë dy kërcënime kryesore të sigurisë që vijnë kundër vendeve brenda kontinentit tonë: Njëri vjen nga Rusia, natyrisht, si dhe tjetri, veçanërisht në rajonin tonë, vjen nga përfaqësuesi i Rusisë, zgjatimi i Rusisë në rajonin tonë, e kjo është Serbia. Sigurisht, ekziston një qëndrueshmëri e nevojshme nga Bashkimi Evropian në trajtimin e të dy këtyre agresorëve, sepse nuk mund ta trajtosh njërin si agresor dhe si diktator dhe tjetrin si partner”, tha Osmani.
Tutje nënvizoi se Serbia ka ndjekur historikisht të njëjtën logjikë si Rusia, duke mos i pranuar shtetet fqinje si të pavarura dhe duke vepruar me agresion kundër tyre.
“Serbia i ka trajtuar shtetet fqinje si shtete joekzistente, si shtete të përkohshme, si shtete kundër të cilave vepron me agresion. Sigurisht, është një kopjim nga manuali i Rusisë. Fatkeqësisht, Rusia gjithashtu e mbështet Serbinë në këtë përpjekje. Pra, tradicionalisht dhe për shekuj me radhë, ata kanë përdorur të njëjtin lloj koncepti. Rusia flet për Rusinë e madhe dhe botën ruse. Serbia flet për Serbinë e madhe dhe botën serbe. Dhe ata përdorin të njëjtat metoda. Pra, për ne, të dyja janë një kërcënim”, theksoi Osmani.
Ajo tha se nëse në rajonin tonë nuk ka ndikim pozitiv perëndimor, fuqitë keqdashëse, siç i quajti “trekëndëshi i së keqes”, Rusia, Kina dhe Irani, vijnë gjithmonë atje. “Jo për bamirësi, por sepse kanë interesa strategjike keqdashëse. Pra, është shumë e rëndësishme që zgjerimi të shtyhet përpara në Ballkanin Perëndimor. Ato vende në Ballkanin Perëndimor që plotësojnë kriteret dhe që gjithashtu punojnë drejt vlerave që BE-ja përfaqëson duhet të merren parasysh për të ecur përpara”, tha Osmani.
Duke folur për agresionin rus ndaj Ukrainës ajo dha një mesazh për popullin ukrainas, duke thënë se “nuk ka asgjë që mund të qëndrojë para në rrugën e një populli që dëshiron të jetë i lirë dhe lufton për lirinë e tij. Ata do ta fitojnë këtë luftë”, tha ajo.
Ndërsa për Bashkimin Evropian, ajo shtoi se historia tregon qartë se “qetësimi i diktatorëve nuk çon kurrë në paqe afatgjatë, por vetëm i inkurajon ata të përdorin më shumë dhunë”.
Osmani kujtoi se 97% e qytetarëve të Kosovës janë pro anëtarësimit në BE dhe NATO, duke theksuar se Kosova tashmë ka përmbushur detyrimet që varen nga vetë shteti. “Ne nuk flirtojmë kurrë me fuqi dashakeqe. Ne jemi kontribuues dhe jo barrë për BE-në”, u shpreh e para e shtetit.
E pyetur nga gazetarët danezë për marrëveshjen rreth strehimit të burgosurve nga Danimarka, Osmani konfirmoi se ajo tashmë është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës.
“Nuk ka të bëjë me strehimin e kriminelëve. Ka të bëjë me mbështetjen reciproke midis vendeve që ndajnë të njëjtat vlera dhe me ruajtjen e standardeve më të larta ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Danimarka ishte pranë nesh kur përjetonim gjenocid, tani është radha jonë të jemi pranë saj”, tha presidentja./rtk
Arrestimet e shqiptarëve nga serbët, Syla: Mos kaloni nga Se...
OVL UÇK konfirmon protestën më 13 dhjetor në Shkup
PDK ankohet te PZAP-ja për vendimin e KQZ-së për votimin jas...
Qeveria në detyrë ndan mbi 141 mijë euro për projekte me OKB...
Putin paralajmëron nga Nju Delhi: Zgjerimi i NATO-s kërcënon...
Ambasada gjermane: Kosova ka nevojë urgjente për qeveri funk...