Osmani: Shpresojmë që aplikimi ynë të jetë në tryezën e anëtarëve të Këshillit të BE-së shumë shpejt

09:35 | 17 Dhjetor 2025
E.H

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor përkrah liderëve të vendeve anëtare të BE-së, si dhe atyre nga Ballkani Perëndimor që do të mbahet sot në Bruksel.Në këtë samit do të diskutohet partneriteti BE-Ballkan, me theks të veçantë në procesin e zgjerimit të BE-së dhe avancimin e perspektivës evropiane të rajonit.

Osmani para nisjes së samitit tha se Kosova synon të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

“Është diçka për të cilën kemi punuar shumë gjatë. Shpresojmë që aplikimi ynë të jetë në tryezën e anëtarëve të Këshillit shumë, shumë shpejt. Në fakt, si identitet, si vend, si komb, ne kemi kontribuar në vlerat mbi të cilat qëndron Bashkimi Evropian për shekuj me radhë. Pra, ne besojmë fuqimisht se, ndërsa është një proces shumë kompleks, nëse përdoren kriteret e bazuara në meritë, Kosova në të vërtetë do të kishte qenë një favorite deri tani. Por, është komplekse në rastin tonë për shkak të pesë vendeve mosnjohëse, të cilat shpresojmë vërtet se do ta kuptojnë se të kesh Kosovën si anëtare të unionit, nuk është vetëm përfitimi i popullit të Kosovës, por është një imperativ strategjik. Është një imperativ sigurie për të gjithë kontinentin”, deklaroi Osmani në një paraqitje në Euronews.

BE-ja ka thënë se samiti i sotëm, i kryesuar nga Presidenti António Costa, do të shërbejë si një mundësi “për të demonstruar dhe rikonfirmuar” forcën e marrëdhënies strategjike BE-Ballkani Perëndimor dhe përfitimet që ajo u sjell qytetarëve.

Presidenti i Këshillit Europian do të përfaqësojë BE-në në samit së bashku me Presidenten e Komisionit. Përfaqësuesja e Lartë Kaja Kallas do të marrë pjesë gjithashtu.

Në fund të samitit, do të lëshohet deklarata e samitit BE-Ballkani Perëndimor. Partnerët e Ballkanit Perëndimor pritet të pajtohen me deklaratën, ka njoftuar BE në faqen e saj zyrtare.

Shpërndaje në rrjete sociale