Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kryetarin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), Abdullah Eren, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në fusha të ndryshme zhvillimore.
Osmani shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e TİKA-s në zhvillimin e Kosovës për më shumë se dy dekada, duke theksuar se projektet e kësaj agjencie kanë ndikuar në mënyrë të ndjeshme në përmirësimin e infrastrukturës kulturore, arsimit dhe shëndetësisë në vend, duke falënderuar posaçërisht për mbështetjen në ndërtimin e Qendrës për fëmijë me sindromën Down dhe Autizëm në Prishtinë, shkruan Arbresh.info.
Në këtë kontekst, ajo e vlerësoi Turqinë si mike dhe partnere strategjike të Kosovës, një shtet që ka qëndruar pranë popullit tonë në çdo fazë, nga periudha pas luftës e deri më sot. Ajo theksoi se miqësia ndërmjet dy popujve është e qëndrueshme dhe e ndërtuar mbi respekt, ndihmë reciproke dhe vlera të përbashkëta.
Tutje, Osmani e përgëzoi Abdullah Eren për emërimin e tij në krye të TİKA-s, duke i uruar suksese në detyrën e re dhe shprehur dëshirën për një vazhdim të frytshëm të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani falënderoi TİKA-n për ndihmën humanitare dhe infrastrukturore të dhënë menjëherë pas luftës, kur Kosova po rindërtohej nga shkatërrimi, si dhe për restaurimin e objekteve me vlerë historike, që kontribuojnë në ruajtjen e trashëgimisë shumëkulturore të vendit.
Në përmbyllje, e para e shtetit theksoi rëndësinë e mbështetjes së iniciativave që lidhen me fëmijët me nevoja të veçanta, ata pa përkujdes prindëror, grupet e margjinalizuara dhe ata që kanë nevojë për përkrahje./Arbresh.info/
Çfarë kanë të veçantë njerëzit e lindur në muajin dhjetor?
SHBA dhe Ukraina diskutojnë për armëpushimin, para samitit e...
Parashikimi i motit për të dielën
Aksident i rëndë trafiku në autostradën Gostivar–Tetovë, tet...
Trepça triumfon bindshëm në Therandë, fitore edhe për Borën
Aksident i rëndë në Tiranë, humb jetën 40-vjeçari