Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar ish-nënkryetaren e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Nekibe Kelmendi në nëntë vjetorin e vdekjes së saj.
Osmani, thotë se me përkushtimin e saj të pashoq, me karakterin e urtë por të vendosur, si dhe me qëndresën e hekurt, Kelmendi dha shembullin e gruas së pathyeshme, e cila pavarësisht vështirësive dhe sfidave nuk u dorëzua asnjëherë.
“Ajo është shembulli i heroinës, e cila dhimbjen personale për humbjen e më të dashurve të saj, bashkëshortit dhe dy djemve, e shndërroi në mjet qëndrese e në mjet për bashkëveprim politik. Urtësia e saj, aftësia për të krijuar kohezion politik dhe humanizmi të cilin e promovonte, është ndër shembujt më të vyer për sjelljen në politikë, sot e kurdo”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ajo, pohon se Kosova sot ka nevojë për gra e burra të dinjitetshëm sikur Nekibja./arbresh.info
Postimi i plotë:
Sot, në 9-vjetorin e kalimit në amshim të znj. Nekibe Kelmendi, intelektuales së shquar, njërës ndër juristet e para në Kosovë, modelit të gruas së emancipuar dhe të guximshme, ish-nënkryetares së LDK-së, u përkulëm para varrit ku prehen eshtrat e saj, me respektin më të thellë për përkushtimin e saj për realizimin e idealit të brezave: jetësimin e shtetit të Kosovës.
Me përkushtimin e saj të pashoq, me karakterin e urtë por të vendosur, si dhe me qëndresën e hekurt, znj. Kelmendi dha shembullin e gruas së pathyeshme, e cila pavarësisht vështirësive dhe sfidave nuk u dorëzua asnjëherë.
Ajo është shembulli i heroinës, e cila dhimbjen personale për humbjen e më të dashurve të saj, bashkëshortit dhe dy djemve, e shndërroi në mjet qëndrese e në mjet për bashkëveprim politik. Urtësia e saj, aftësia për të krijuar kohezion politik dhe humanizmi të cilin e promovonte, është ndër shembujt më të vyer për sjelljen në politikë, sot e kurdo.
Me kalimin e saj në amshim, këtu e nëntë vjet më parë, politika ka humbur një grua tepër të dinjitetshme, e cila skenës politike ia dha shembullin e gruas dhe politikanes e cila nuk përkulet para presioneve, nuk njeh kompromis karshi idealit për shtetin dhe ruan me përkushtim çdo gur të shtetësisë së vendit të saj. Këmbëngulëse në ruajtjen dhe promovimin e idesë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në përputhje me vullnetin e popullit, ajo qe po kaq këmbëngulëse edhe në sigurimin dhe ruajtjen e shtetësisë së Kosovës.
Shembulli i saj për ruajtjen e sistemit unik të gjyqësorit në Kosovë, kur ai po rrezikohej nga lejimi i strukturave paralele, është shembulli më i vyer të cilën një politikane mund ta japë kur rrezikohet shtetësia e vendit të saj. Këmbëngulja e saj që të mos lejonte krijimin e gjykatave paralele dhe guximi i saj politik që ta refuzonte me çdo çmim këtë, qoftë edhe me humbjen e postit të së parës së Drejtësisë, është udhërrëfyes për të gjithë politikanët e sotëm dhe të nesërm.
Kosova sot ka nevojë për gra e burra të dinjitetshëm sikur Nekibja.
Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj përfaqësojnë Kosovën në Lojërat...
“Më dhemb shpirti, do ta kem të vështirë të rikuperohe...
Si reaguan kandidatët të cilëve iu hoqën më së shumti vota n...
A do e marrë Groenlandën me forcë? Si përgjigjet Presidenti ...
Ekzekutoi Elton Çiçon brenda lokalit në ish-Bllok, kush ësht...
E kryer, Ter Stegen do të huazohet tek Girona