Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani kërkon zbardhjen e fatit të të pagjeturve në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.
Sipas Osmanit, dy dekada pas luftës, të zhdukurit me dhunë mbesin plaga më e madhe dhe më e dhimbshme e shtetit të Kosovës.
“Janë 1643 fate jetësore për të cilat institucionet nuk arritën të bëjnë asgjë përgjatë këtyre 21 vjetëve. Sot, pesha e fatit të tyre rëndon mbi secilin politikan të Kosovës. Mbi ne bie përgjegjësia e zbardhjes së fatit të secilit, ndërkaq pesha e fajit bie mbi shtetin e Serbisë”, ka thënë Osmani./arbresh.info/
Mesazhi i plotë:
Sot Kosova dhe e gjithë bota shënon Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve. Ditë kjo në funksion të ngritjes së zërit për të zbardhur fatin e të gjithë atyre që nuk janë në mesin tonë, fati i të cilëve përbën shqetësim jo vetëm për familjarët, por për shoqërinë në përgjithësi.
Dy dekada pas luftës, të zhdukurit me dhunë mbesin plaga më e madhe dhe më e dhimbshme e shtetit tonë. Janë 1643 fate jetësore për të cilat institucionet nuk arritën të bëjnë asgjë përgjatë këtyre 21 vjetëve. Sot, pesha e fatit të tyre rëndon mbi secilin politikan të Kosovës. Mbi ne bie përgjegjësia e zbardhjes së fatit të secilit, ndërkaq pesha e fajit bie mbi shtetin e Serbisë.
Sot kur Kosova zhvillon negociata me këtë shtet që kreu veprime gjenocidale, për të arritur atë që po quhet Marrëveshje Përfundimtare, para nesh shfaqet portreti i secilit të zhdukur. Sot ne nuk e kemi një përgjigje përfundimtare për familjarët e tyre, siç nuk e kemi as argumentin kryesor: si mund të ketë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë teksa nuk e dimë ku i kemi njerëzit tanë, të cilët ajo i mori dhunshëm! Rrjedhimisht duket e pamundshme dhe anakronike një marrëveshje përfundimtare pa zbardhje të fatit të të zhdukurve dhe pa adresim të fajit ndaj shtetit serb. Paqe nuk do të ketë përderisa secila nënë e baba nuk e gjen fëmijën e vet. Paqja ndërshtetërore e ka parakusht paqen shpirtërore të 1643 familjeve në Kosovë!
Kryediplomati shqiptar vizitë në Bruksel
Rikthehet magjia e Ligës së Kampionëve: Katër përballje të z...
Gjenden mbetje eshtërore që dyshohet se i përkasin një perso...
Vjedhje e rëndë në Prizren, hajnat marrin para, stoli ari dh...
Bilanci 24-orësh i Policisë së Kosovës: 44 aksidente trafiku...
Zvicra pezullon vendimet e aplikimit për azil nga iranianët