Osmani: Kemi prioritet sigurimin e vaksinës dhe menaxhimi sa më të mirë të pandemisë

17:18 | 15 Prill 2021

Presidentja Vjosa Osmani priti sot në takim Koordinatoren për Zhvillim të OKB-së, Ulrika Richardson si dhe udhëheqësit e të gjitha agjencive të Kombeve të Bashkuara që veprojnë në Republikën e Kosovës.

Me këtë rast, Richardson, në emër të të gjithë agjencive të Kombeve të Bashkuara, e përgëzoi Presidenten Osmani për marrjen e detyrës, duke shprehur gatishmërinë dhe mbështetjen e plotë për vazhdimin e bashkëpunimit të shkëlqyer të ndërtuar tashmë ndër vite.

Ndërkaq Presidentja Osmani i përgëzoi të gjitha Agjencitë për punën e bërë dhe për kontributin e jashtëzakonshëm në përmirësimin e situatës socio-ekonomike në vend, si dhe adresimin e shumë çështjeve të cilat jo çdo herë e kanë marrë fokusin e duhur publik.

“Padyshim se prioriteti kryesor tani është sigurimi i vaksinës për qytetarët tanë dhe menaxhimi sa më i mirë i pandemisë. Njëkohësisht, dua të potencoj që institucionet e reja në vend do të promovojnë një mentalitet të ri udhëheqës, i cili ka në fokus përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, avancimin e barazisë gjinore, garantimin e kohezionit social, si dhe mbrojtjen e mjedisit si parakusht edhe për mbrojtjen e shëndetit tonë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Palët u dakorduan për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe për konktretizim të angazhimit përmes implementimit të projekteve që ndihmojnë drejtpërdrejt në përmbushjen e objektivave zhvillimore për vendin tonë./arbresh.info/

Lajmet më të lexuara