Osmani dekoroi post mortem regjisorin Bekim Lumi me Medaljen Presidenciale të Meritave

16:39 | 3 Gusht 2023
Diellza Gashi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në 5-vjetorin e ndarjes nga jeta, në prezencë të familjarëve dhe kolegëve, ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave krijuesin, regjisorin e pedagogun, Bekim Lumi.

Përmes një komunikate për media, është bërë e ditur se Osmani ka theksuar se regjisori Lumi shquhej për guximin dhe përkushtimin ndaj arteve dramatike, duke e vendosur teatrin kosovar në hartën kulturore evropiane, përcjell Arbresh.info.

Ndërsa gjatë ditës së sotme në shenjë nderimi Osmani shprehi mirënjohje dhe e nderoi figurën dhe krijimtarinë e Lumit.

“Krijimtaria e Bekimit ishte alternative dhe avangarde, me një lojë të pasur  estetike e skenike. Ai përfaqësoi në mënyrë dinjitoze teatrin e Kosovës nëpër teatrot evropiane, duke u shndërruar në emblemë të teatrit bashkëkohor të shtetit tonë. Na artësoi, siç preferonte të shprehej ai, ndërkaq ne sot po i shprehim  mirënjohje dhe e nderojmë figurën dhe krijimtarinë e tij”, ka theksuar Osmani./Arbresh.info/