Misioni i OSBE-së në Kosovë ka përmbyllur programin trajnues mbi detyrat e komandës operative për zyrtare të larta të policisë së Kosovës me një trajnim praktik të mbajtur nga 29 prilli deri më 2 maj 2018 në Policinë e Uellsit Jugor (SWP) në Kardif, Mbretëri e Bashkuar.
Programi, i hartuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Shoqatën e Grave të Policisë së Kosovës, kishte për qëllim fuqizimin e grave në Policinë e Kosovës duke i zhvilluar aftësitë dhe kompetencat e tyre për pozita menaxheriale dhe udhëheqëse.
Trajnimi praktik pesë-ditor në MB iu dha mundësi 14 zyrtareve policore pjesëmarrëse, të cilat kishin përfunduar tashmë dy modulet e para në Kosovë, për të parë nga afër se si SWP zbaton parimet e modeleve të vendimmarrjes për komandantët operativë dhe se si merren vendimet strategjike operative dhe taktike komanduese.
Ato gjithashtu mësuan se si e ruan SWP besimin e komuniteteve të ndryshme lokale dhe se si dizajnohen e më pas delegohen planet operative tek policia gjatë menaxhimit të incidenteve të ndryshme kritike.
“Ndonëse numri i grave që po i bashkohen sektorit të sigurisë është në rritje, ato ende nuk janë të përfaqësuara sa duhet në pozita të larta komanduese policore. Duke i ndihmuar ato në zhvillimin e aftësive menaxheriale dhe duke e mundësuar vëzhgimin nga afër të praktikave më të mira ndërkombëtare, ne kontribuojmë në zhvillimin e një mjedisi modern policor që do t’i plotësojë nevojat dhe prioritetet e popullsisë, të cilës i shërben” është shprehur Shpresa Muharremi nga Misioni i OSBE-së. “
Gjatë trajnimit praktik, pjesëmarrëset u mentoruan nga zyrtare të larta policore të SWP dhe u vendosën në qarqe të ndryshme policore të Uellsit Jugor, e kjo mundësoi rrjetëzimin dhe siguroi vazhdimësi të shkëmbimit të njohurive, sukseseve dhe sfidave edhe pas përfundimit të trajnimit.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ofron rregullisht trajnime të avancuara dhe të specializuara për agjencitë e zbatimit të ligjit me qëllim të përmirësimit të kapaciteteve të tyre.
LDK akuzon Qeverinë për keqpërdorime në energji dhe kërkon t...
24 pjesëtarë të Njësive Speciale certifikohen në aftësi poli...
SHPRESË DHE GËZIM PËR FËMIJËT NË PEDIATRI
Gjenden 3 trupa të vdekur në një shtëpi në Çaçak të Serbisë,...
Rusia sulmon Ukrainën me dronë dhe raketa, dëmtohet infrastr...
21 vjeçari ndalohet me lëndë narkotike në Kaçanik