Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar ashpër pas vendimit të disa anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të abstenuar ose votuar kundër kërkesave për akreditim të mediave në gjuhën serbe për mbulimin e zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën, më 12 tetor.
OSBE shpreh “zhgënjim të thellë” lidhur me këtë vendim, duke theksuar se një proces zgjedhor i drejtë dhe transparent varet nga “qasja e hapur dhe e barabartë për të gjitha mediat që të vëzhgojnë, raportojnë dhe informojnë publikun mbi zhvillimet zgjedhore”.
Misioni thekson se ndalimi i akreditimeve mbi bazën e përkatësisë së perceptuar komunitare, gjuhësore apo redaktoriale “pengon gazetarët në ushtrimin e detyrave të tyre profesionale” dhe se qasja në informacion në gjuhët e komuniteteve “përbën një aspekt themelor të kornizës shumetnike dhe demokratike të Kosovës”.
“Sigurimi i mundësive të barabarta për të gjitha mediat është thelbësor për ruajtjen e besimit të publikut në procesin zgjedhor, për shmangien e perceptimeve për praktika diskriminuese dhe për mbështetjen e pjesëmarrjes së informuar të të gjitha komuniteteve”, thuhet në reagimin e OSBE-së.
Në fund, Misioni në Kosovë riafirmon përkushtimin për të promovuar dhe mbrojtur “lirinë e shprehjes, pluralizmin mediatik dhe qasjen e barabartë në informacion për të gjitha komunitetet”, duke u bërë thirrje partive politike që t’u përmbahen këtyre vlerave./Arbresh.info/
Ikonat e futbollit në një vend, Ronaldinho, Kaka dhe Adriano...
IQMT rrit kontrollet dhe konfiskon produkte jashtë standarde...
Arrestohen tre persona të dyshuar për vjedhje në Prishtinë
Plani operativ “Stop Drogave” në Prishtinë/ Arrestohen 8 per...
Nafta në Kosovë me çmim të njëjtë si dje
Mbi 1,700 gjoba në një javë në rajonin e Ferizajt, policia k...