Google ADS

Orloviq pranon fajësinë për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan, gjykata aprovon marrëveshjen

15:33 | 21 Qershor 2024
K.B

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë në mes Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe të akuzuarit Nenad Orloviq, i cili po akuzohet për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës afër objektit të Komunës së Zveçanit më 29 maj 2023.

Pas aprovimit të marrëveshjes së pranimit të fajësisë, nga ana e gjykatëses Valbona Musliu-Selimaj prokurori special Bekim Kodraliu tha se dënimi i rekomanduar për veprën penale sulm ndaj personit zyrtar është nga 15 deri në 17 muaj burgim.

Ndërsa, për veprën penale pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi sipas të njëjtit dënim i rekomanduar është prej 6 muaj burgim në mundësi shndërrimi në dënim me gjobë në shumën prej 10 mijë deri 12 mijë euro.

Prokurori Kodraliu i propozoi gjykatës që duke pasur parasysh dënimet e rekomanduara të akuzuarit Orloviq t’i shqiptojë dënim unik sipas vlerësimit të saj brenda dënimeve të rekomandimeve dhe që të njëjtit të mos i ndërpritet masa e paraburgimit.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Orloviq, avokati Gani Hoxha, deklaroi se mbesin pranë dënimit të rekomanduar, duke kërkuar nga gjykata që të merrte parasysh rrethanat lehtësuese dhe që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptojë dënimin minimal brenda rekomandimit.

Avokati Hoxha propozoi që të akuzuarit Orloviq t’i ndërpritet masa e paraburgimit me arsyetimin se ai ishte mbajtës i familjes dhe se i njëjti çdoherë do t’i përgjigjet gjykatës.

I akuzuari Orloviq deklaroi se mbështet fjalën e avokatit Hoxha dhe se premtoi se nuk do të përsërisë veprën penale dhe se nuk do ta lëshojë Kosovën pasi që këtu e ka edhe familjen.

Po ashtu i akuzuari Orloviq u pajtua që dënimi prej 6 muaj burgim për veprën penale pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi t’i zëvendësohet në dënim me gjobë.

Paraprakisht, i akuzuari Orloviq deklaroi se marrëveshjen për pranim të fajësisë e kishte bërë me vullnet të plotë, në konsultim të mjaftueshëm me mbrojtësin dhe pa presion.

Shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë çështje pritet të bëhet në ditët në vijim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 qershor 2024, thuhet se i akuzuari Orloviq më datë 29 maj 2023, në intervalin kohor duke filluar nga ora 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, në koordinim me shumë të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin e personave në kryerjen e veprave penale serioze.

Të njëjtit, sipas aktakuzës, përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorë mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë të zjarrit, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 (tridhjete) pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, 3 (tre) nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë në detyrë zyrtare për të garantuar rendin dhe qetësinë publike për të gjithë qytetarët në atë pjesë, nga të cilat veprime kanë rrezikuar seriozisht dhe trupin e këtyre personave zyrtarë, e të cilëve edhe u kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Me këto veprime i akuzuari Orloviq në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, nga neni 402 par. 5 lidhur me par. 2 dhe 1, e lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë të së njëjtës aktakuzë, thuhet se i akuzuari Orloviq në datën dhe kohën e njëjtë si më lartë, në koordinim me shumë të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin, përkatësisht turmën, e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze.

Më tej thuhet se përmes përdorimit të dhunës, ata kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit, ashtu që edhe përkundër urdhrave të ushtarëve të misionit paqeruajtës të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e komunës, të pandehurit kishin filluar që të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar, me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe me armë zjarri.

Nga këto mjete, sipas aktakuzës, janë lënduar të paktën 30 (tridhjete) pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, 3 (tre) nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovës, si dhe në veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite, të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik në masë të madhe, duke shkaktuar rrezik në shkallë të gjerë për jetën dhe trupin e shumë njerëzve dhe pasurisë.

Me këto veprime i akuzuari Orloviq në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi, nga neni 404 (par. 1) lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme