Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka shprehur shqetësim lidhur me vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për vendosjen e marzhave maksimale për produktet e naftës, duke vlerësuar se një masë e tillë cenon tregun e lirë dhe parimet e konkurrencës së drejtë.
Në një reagim zyrtar, OEK thekson se kufizimi administrativ i çmimeve për karburantet nuk është në përputhje me parimet e ekonomisë së tregut dhe mund të çrregullojë funksionimin normal të tij, duke kufizuar lirinë e operatorëve ekonomikë.
“Vendosja e kufijve të çmimeve për karburantet nuk reflekton realitetin e tregut dhe rrezikon të ndikojë negativisht në konkurrencë dhe furnizim,” thuhet në reagimin e Odës Ekonomike.
Sipas OEK-ut, çmimet e karburanteve përcaktohen nga një kombinim faktorësh ndërkombëtarë dhe vendorë, përfshirë luhatjet në tregjet globale, kostot e transportit, zinxhirët e furnizimit dhe zhvillimet gjeopolitike. Ndërhyrjet administrative, sipas tyre, nuk marrin parasysh këta faktorë dhe mund të prodhojnë pasoja të padëshiruara për tregun.
Po ashtu, Oda Ekonomike vë në pah se vendimi është marrë nga një qeveri në detyrë, e cila ka mandat të kufizuar ligjor dhe institucional. Sipas OEK-ut, praktika dhe vendimet e Gjykatës Supreme të Kosovës tregojnë se masa me ndikim të gjerë ekonomik duhet të miratohen nga qeveri me mandat të plotë dhe legjitimitet parlamentar.
OEK i ka bërë thirrje Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që ta rishqyrtojë këtë vendim dhe të shqyrtojë mekanizma alternativë për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë, pa ndërhyrje direkte në çmime.
Në fund, Oda Ekonomike e Kosovës rithekson përkushtimin e saj për mbështetjen e një tregu të qëndrueshëm, transparent dhe konkurrues, duke shprehur gatishmërinë për dialog konstruktiv me institucionet, me synimin e gjetjes së zgjidhjeve që mbrojnë njëkohësisht interesat e konsumatorëve dhe bizneseve./rtk
Parashikimi i motit për sot
Inter afër titullit në Serie A pas fitores bindëse ndaj Cagl...
Rrahje në një lokal në Vushtrri, 6 persona të arrestuar
Kurti nga Barcelona reagon rreth Byrosë për Konfiskim: Presi...
Sllovakia gati të zhbllokojë huanë prej 90 miliardë eurosh p...
Sinan Dauti, i zhdukur gjatë luftës në Kosovë, rivarroset ne...