Numërohen të gjitha votat nga ambasadat, fillon numërimi i atyre me postë – Mbi 27 mijë pako të aprovuara

18:45 | 3 Janar 2026
R J

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar se pasditen e sotme ka përfunduar numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike.

Në njoftimin e KQZ’së, njoftohet edhe se, tashmë ka filluar numërimi i votave që janë me postë, përcjell Gazeta Express.

‘’Nga më shumë se 28,000 pako të pranuara, pas vlerësimit dhe verifikimit janë aprovuar 27,600, ndërkaq janë refuzuar mbi 950’’, thuhet në njoftimin e KQZ’së.

Njoftimi:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se pasditen e së shtunës, rreth orës 16:00, është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit në 40 vendvotime të përfaqësive diplomatike.

📍  Më 27 dhjetor 2025, votimi u zhvillua në 29 përfaqësi diplomatike, në 18 shtete të ndryshme. Nga 19,187 shtetas të regjistruar, kanë votuar 16,165, apo 84.24%.

Po ashtu, gjatë ditës së shtunë, në QNR ka filluar numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit përmes postës që deri më tani janë sjellë në Kosovë.

Ditë më parë, nga dy kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, Berlin dhe Bernë, janë tërhequr më shumë se 28,500 pako me fletëvotime, të cilat janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së.

✅ Nga më shumë se 28,000 pako të pranuara, pas vlerësimit dhe verifikimit janë aprovuar 27,600, ndërkaq janë refuzuar mbi 950.

⚠️ Arsyeja kryesore e refuzimit ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit të votuesit në pakon me fletëvotim.

📊 Në procesin e numërimit do të përfshihen 27,600 zarfe të supozuara me fletëvotime.