Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për vjedhjet në Zveçan

10:19 | 28 Korrik 2026
E.G

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit B.M., i cili dyshohet për përfshirje në dy raste vjedhjesh të raportuara më 24 korrik në Zveçan.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, i dyshuari B.M. (1992) është identifikuar pas veprimeve intensive hetimore dhe operative nga njësitë përkatëse policore. Ai është arrestuar më 25 korrik 2026 në Mitrovicë të Veriut, ndërsa gjatë kontrollit dyshohet se i janë gjetur edhe paratë që lidhen me rastet e raportuara.

Rasti i parë i vjedhjes ishte raportuar në një barnatore në rrugën “Buba Mihajloviq” në Zveçan, ku dyshohet se nga arka janë marrë 220 euro, pasi autori kishte shfrytëzuar mungesën e pronarit në objekt.

Rasti i dytë kishte ndodhur në një restorant në Zveçan, ku ishte raportuar vjedhja e një çante me dokumente personale dhe 937 euro para të gatshme.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, i dyshuari figuron me mbi 80 raste penale në sistemin policor. Gjithashtu, bëhet e ditur se ai ishte liruar nga vuajtja e dënimit më 17 korrik 2026, pasi kishte përfunduar një dënim prej katër vitesh burgim dhe ishte liruar me kusht./Arbresh.info