Një grua, një betejë, një dritë që s’u shua kurrë

09:30 | 21 Tetor 2025
Gita

Në jetën e secilës grua ka kapituj që lënë gjurmë. Por historia e Marigona Bujës nuk është thjeshtë një kapitull është një roman i tërë për forcën, guximin dhe ringritjen.

Është historia e një nëne vetushqyese që, përballë sfidave që do ta kishin thyer këdo, zgjodhi të mos dorëzohet.

Ajo zgjodhi të ngrihet, të luftojë dhe ta rindërtojë jetën nga e para me dinjitet, me dashuri dhe me besim të patundur në Zot, shkruan Arbresh.info.

Marigona ka kaluar periudha të vështira që e kanë sprovuar emocionalisht, por çdo pengesë e ka kthyer në mësim, çdo dhimbje në forcë dhe çdo humbje në shtyllë karakteri.

Ajo kurrë nuk e pa veten si viktimë të rrethanave, por si shembull se jeta, sado e padrejtë të jetë, mund të rindërtohet sërish me duar të pastra, me shpirt të pastër dhe me zemër që nuk e humbet kurrë dritën.

“Unë nuk e zgjodha këtë rrugë, por zgjodha si të ec në të”, thotë Marigona me një qetësi që vetëm ato që kanë kaluar stuhi të mëdha mund ta njohin.
Me kalimin e viteve, ajo ndërtoi një karrierë të qëndrueshme në fusha që kërkojnë përkushtim, disiplinë dhe aftësi lidershipi. Në çdo punë që mori përsipër, solli ndershmëri, profesionalizëm dhe ndjeshmëri njerëzore tri vlera që e kanë bërë të dallohet kudo.

Por, suksesi i saj më i madh nuk matet me pozita apo me arritje profesionale, ai qëndron në mënyrën se si ajo ka zgjedhur të jetojë duke kthyer përvojën e vet të dhimbshme në frymëzim për të tjerat.

Përmes Shoqatës së Prindërve të Vetëm (Single Parents Association), ku është anëtare e bordit dhe një zë i fuqishëm për nënat vetushqyese, Marigona ka ndihmuar shumë gra të ngrihen, të gjejnë vetëbesimin, të ndërtojnë stabilitetin emocional e ekonomik, e mbi të gjitha të mos ndihen kurrë vetëm. Ajo është bërë frymëzim për dhjetëra nëna që kanë parë tek ajo shembullin se dhimbja mund të shndërrohet në forcë, e forca në jetë të re.

“Unë nuk zgjodha sfidat, por zgjodha të mos e humbas veten. Sot jam mirënjohëse që nga ato sfida linda një version më i fortë i vetes dhe që mund ta kthej atë forcë në dritë për të tjerat” – rrëfen ajo

Sot, Marigona jeton dhe punon në Gjermani, por zemra e saj rreh ende në ritmin e Kosovës.

Atje, ajo është bërë mbështetje e heshtur për shumë gra e vajza kosovare që kanë kaluar nëpër periudha të vështira, gra që janë përballur me dhunë, me sfida familjare apo me sëmundje që ua kanë tronditur jetën.

Ajo ka dëgjuar gra që nuk kishin më zë, ka mbajtur duar që dridheshin nga pasiguria dhe ka ndezur dritë aty ku ajo ishte shuar. Në heshtje, pa kërkuar kurrë vëmendje, është bërë dritë për të tjerat për ato që kishin harruar se shpresa ende ekziston.

Rruga e saj nga Kosova në Bavari, nga sfidat personale drejt karrierës ndërkombëtare, është një dëshmi e rrallë e forcës së një gruaje që nuk njeh kufij. Marigona nuk është vetëm një shembull suksesi, ajo është grua që ka mësuar ta kthejë dhimbjen në forcë, forcën në dashuri dhe dashurinë në dritë duke u bërë frymëzim për të gjitha ato që besojnë se pas çdo rënieje mund të ketë një fillim të ri.

Në fund, historia e Marigonës është një thirrje e heshtur për të gjitha gratë që kanë harruar fuqinë e tyre, një dëshmi se edhe kur bota të rrëzon, mund të ngrihesh më e fortë, më e ndritur dhe më e gjallë se kurrë./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale