Një e moshuar humbi jetën në Vushtrri si pasojë e një zjarri në shtëpi

21:35 | 16 Janar 2026
R J

Një e moshuar rreth 80 vjeçe, e nacionalitetit serb, ka humbur jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu shtëpinë e saj të banimit në fshatin Graçë të Komunës së Vushtrrisë.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 22:20.  Sipas Policisë së Kosovës, menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente mjekësore.

Mjekët kanë konstatuar vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes, ndërsa zjarri është lokalizuar pas ndërhyrjes së zjarrfikësve. Një ditë pas ngjarjes, policia në bashkëpunim me ekipet e forenzikës ka vazhduar ekzaminimin e vendit të ngjarjes, me qëllim të sqarimit të shkaqeve dhe rrethanave që çuan në vdekjen e së moshuarës.

Viktima, sipas banorëve lokal, jetonte e vetme. Fqinjët tregojnë se nuk kanë vërejtur ndonjë rrezik të menjëhershëm para se zjarri të përhapej.

“Anëtar të familjes prej që jam unë këtu, jo, nuk i ka ardhur askush. Një çikë e ka pas edhe atë e ka në burg. Unë kam qenë rojtar dhe më ka thirr familja, thanë u kall një shtëpi këtu…”, ka thënë Ahmet Kodrolli, fqinj i viktimës.

Hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorin kompetent, janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për të zbardhur plotësisht rastin. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion./rtk